Moti i keq në Europë, reshje dëbore dhe temperatura të acarta
Banorë të vendeve të ndryshme të Europës ndërsa janë zgjuar mëngjesin e së enjtes kanë parë qytetet e tyre të mbuluara nga dëbora. Kështu në Holandë, pothuajse i gjithë vendi është veshur me të bardhë dhe kushtet atmosferike kanë vështirësuar edhe qarkullimin e automjeteve, por edhe atë të njerëzve. Por pavarësisht vështirësive, shumë fëmijë kanë shijuar këtë panoramë dimërore për të luajtur në dëborë.
Reshje të dendura dëborë dhe ulje drastike të temperaturave janë regjistruar edhe në Poloni. Në disa zona ka patur ngrica dhe temperaturat janë regjistruar nën minus 10 gradë . Në disa qytete si Varshavë dhe Lodz, trafiku ka patur probleme të shumta ndërsa po bëhen përpjekje për të pastruar rrugët.
Në Francë, dëbora ka përfshirë Parisin dhe disa qytete të tjera. Rreth 5 cm dëborë janë regjistruar në kryeqytetin francez. Parisi është një qytet që nuk e shikon borën çdo vit dhe sipas meteorologëve eshte e rrallë për këtë qytet që të bjerë në dhjetor. Pjesa më e madhe e veriut te vendit është mbuluar nga dëbora dhe disa zonë kanë shpallur gjendjen e emergjencave dhe kanë paralajmëruar banorët të kenë kujdes nga ngricat.
Shumë pranë Francës, në Belgjikë , gjithashtu janë regjistruar reshje të dendura të dëborës. Gjatë pasdites së të enjtes reshjet kanë vijuar për disa orë radhazi. Edhe jashtë Brukselit, nëpër rrugë e autostrada, trafiku është ngadalësuar ndërsa meteorologët njoftojnë se dëbora do të prekë edhe rajone të tjera të vendit.
Ndërkaq edhe shumë zona të Mbretërisë së Bashkuar janë përfshirë në këtë situatë atmosferike të përkeqësuar. Meteorologët thonë se edhe gjatë orëve në vijim pritet të ketë reshje të dendura dëborë. Kështu banorët e Britanisë së Madhe duket se do ta kalojnë këtë sezon festash, ashtu si edhe shumë vende të tjera, në një panoramë ndryshe nga vitet e tjera.
Rryma të acarta, ngrica e dëborë, kanë përfshirë këtë javë edhe Moskën kryeqytetin e Rusisës. Temperaturat në këtë vend kanë arritur në minus 27 gradë Celsius. Edhe pse i ftohti në dhjetor në këtë vend nuk është ndonjë fenomen i rrallë, meteorologët thonë se prej vitesh nuk janë regjistruar temperatura të tilla, që mund të shkojnë deri në minus 20 gradë.