Strategjia, familjeve abuzuese do tu merren fëmijët
Familjet që nuk kujdesen për fëmijët e tyre, madje abuzojnë me ta, do t’u hiqet e drejta për të mbajtur fëmijët e tyre. Kështu, fëmijë jetimë dhe ata që detyrohen të lypin në rrugë apo që trafikohen nga familjet e tyre do të kenë mundësi të jetojnë ndryshe, por në një tjetër familje, që do të përzgjidhet nga punonjësit socialë. Kjo është strategjia që u bë dje publike nga Ministria e Punës, në bashkëpunim me UNICEF në Shqipëri, Carrie Auer, përfaqësues të pushteti qendror e vendor, të sistemit gjyqësor, si dhe të organizatave “Every Child”, “Bethany”. Duke u ndalur në implementimin e Strategjisë, ministri Barka theksoi se, “duke vlerësuar kompleksitetin e shërbimit të kujdestarisë dhe angazhimin e një spektri të gjerë aktorësh, fillimisht objektivat e kësaj strategjie do të pilotohen në dy rrethe, në Tiranë dhe Shkodër. “Nën kujdestari, në periudhën pilot, do të vendosen 80 fëmijë. 60 fëmijë do të jenë nga familje në nevojë dhe që rrezikojnë të institucionalizohen, ndërsa 20 fëmijë të tjerë, nga shtëpitë e fëmijëve që mund të shkojnë pranë të afërmve në komunitet”,- pohon Barka. Ndërsa nëndrejtori i Politikave Sociale në Ministrinë e Punës, Nexhmedin Dumani prezantoi edhe hapat që po ndërmerren për bërjen efektiv të këtij dokumenti të rëndësishëm. Dumani theksoi se deri në dhjetor të këtij viti do të përfundoje plotësimi i akteve ligjore dhe nënligjore në mbështetje të këtij dokumenti dhe në janar të 2009 do të fillojë zbatimi i kujdestarisë në Tiranë dhe Shkodër. Ndërkohë, bëhet e ditur se grupet e fëmijëve që do të përfshihen janë fëmijët e familjeve më të varfra, të cilët jetojnë me ndihmë ekonomike, fëmijët që u mungon kujdesi prindëror, etj. Specialistët pohojnë se kujdestaria, si shërbim alternativ, i ofrohet fëmijës që jeton në familje me probleme ekonomike dhe sociale, ose fëmijës të lindur jashtë martese. Vendosja e tyre në familje që i mirëpresin këta fëmijë dhe kanë dëshirë të jetojnë me ta për aq kohë sa familjet dhe prindërit e tyre të zgjidhin problemet, është e përshtatshme dhe ndihmon për t’iu rikthyer fëmijëve atmosferën e jetesës në një familje normale. Ndërkohë, për të gjithë grupet e fëmijëve me probleme, një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë mundësi t’i shmangen institucionalizimit, të deinstitucionalizohen dhe të ri-integrohen në jetën familjare nëpërmjet shërbimit të kujdestarisë, duke ndjekur hapat e kësaj strategjie.