E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, Monti pranon postin e Kryeministrit

Mario Monti, ish-zyrtar i lartë i BE-së, ka pranuar dje pas bisedimeve me presidentin Napolitano të marrë drejtimin e qeverisë italiane. “E pranoj me rezerva detyrën”

Presidenti i Italisë filloi dje këshillimet me udhëheqësit politikë nëse do t’i kërkojë apo jo ekonomistit Mario Monti që të përpiqet të formojë qeverinë e re italiane, një ditë pasi Silvio Berluskoni dha dorëheqjen, ndërsa vendi ndodhet në prag të një katastrofe financiare.

Presidenti Xhorxhio Napolitano zhvilloi takime të një-pas-njëshme, ndërsa përpiqet të përcaktojë nëse zoti Monti, ish-zyrtar i lartë i Bashkimit Europian, tepër i respektuar, apo dikush tjetër, mund të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për të formuar qeverinë e ardhshme. Monti ishte si zakonisht i sjellshëm dhe i rezervuar kur gazetarët e rrethuan, ndërsa dilte nga kisha me të shoqen sot në mëngjes. Ai pozoi për fotografët, por nuk komentoi për diskutimet e djeshme.

Presidenti Napolitano u takua me presidentin e Senatit, Renato Skifani, në pallatin presidencial para se të zhvillonte bisedime me Xhanfranko Finin, ish-aleat i Berluskonit, i cili kryeson Dhomën e Ulët të Deputetëve. Napolitano mund të emërojë zotin Monti para, nëse siguron mbështetje të mjaftueshme. "Mendoj se kjo është punë e mbaruar", tha analisti politik Franko Pavonçelo. "Sonte(dje) ose ndoshta nesër në mëngjes, zotit Monti do t’i jepet mandati nga Presidenti që të formojë qeverinë e re me ministra që do të jenë teknikë", shtoi ai.

Disa prej përkrahësve dhe aleatëve të zotit Berluskoni janë shprehur kundër perspektivës së një qeverie të udhëhequr nga zoti Monti. Por analisti Pavonçelo vuri në dukje se edhe ata e kuptojnë se Italia është në një fazë në të cilën disa reforma duhet të zbatohen në mënyrë që vendi të shmangë falimentimin". I ndodhur para presionit të përditshëm në rritje nga ana e tregjeve, që humbën besimin tek aftësia e udhëheqësit dikur karizmatik, zoti Berluskoni dha dorëheqjen dje vonë, siç kishte premtuar, sapo u miratuan në Parlament masat urgjente kundër krizës.

Italia ndodhet nën presion të madh për të formuar një qeveri të efektshme, që mund të zbatojë reforma dhe masa financiare edhe më të vështira për të zgjidhur problemin e borxheve gjigante, të cilat në total janë 2.6 trilionë dollarë, baras me 120 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Italisë i duhet të shkurtojë borxhet me më shumë se 410 miliardë dollarë vetëm gjatë vitit 2012.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›