E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: “Partitë shqiptare në Malin e zi të bashkohen për çështje esenciale”

Kreu i shtetit zhvilloi disa takime me përfaqësues të partive shqiptare në Mal të Zi. Ai theksoi se shqiptarët duhet të bashkohen për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit

Gjatë vizitës së tij në Malin e Zi, kreu i shtetit, Bamir Topi, ka takuar gjithë përfaqësuesit e partive shqiptare në këtë vend duke bërë thirrje që ata të qëndrojnë të bashkuar për çështje esenciale që lidhen me të drejtat e minoriteteve. “Organizimi politik presupozon që partitë politike mund të kenë këndvështrime të ndryshme përsa u përket problemeve, por është në natyrën e punës së kryetarit të shtetit amë që t’i dëgjojë të gjithë, të marrë situatën në këndvështrimin e tyre, pastaj të japë mesazhe për një koherencë që duhet të ekzistojë mes partive politike shqiptare për të qenë me mendime të sinkronizuara përsa u përket çështjeve më esenciale. Pastaj, për çështje të karakterit dytësor apo tretësor, çdo parti politike ka të drejtën që të shpalosë vizionin e vet, por natyrisht mesazhi kryesor është që partitë politike shqiptare duhet të jenë në sintoni, sikurse thashë, për çështje esenciale që kanë të bëjnë me të drejtat e minoritetit, që janë të drejta të sanksionuara nga standardet e Këshillit të Europës dhe besoj që këto janë mesazhe që çdo parti politike duhet t’i ketë në konsideratë”, - deklaroi dje presidenti Topi.
Vizita
Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Malin e Zi, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, zhvilloi bisedime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në shtetin fqinj: politikë, parlamentarë dhe të pushtetit lokal. Kryetari i shtetit pati takime të veçanta me z. Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve, me z. Ferhat Dinosha, kryetar i Partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe ministër për Minoritetet në Qeverinë e Malit të Zi, me z. Nazif Cungu, kryetar i Forcës së Re Demokratike etj. Në këto takime, presidenti Topi ritheksoi se shqiptarët në Malin e Zi i konsiderojmë si urë lidhëse dhe miqësie, të cilët ndikojnë pozitivisht në stabilitetin, bashkëpunimin e kohezionin e brendshëm. Kryetari i Shtetit shprehu bindjen se pakica shqiptare në Mal të Zi, nëpërmjet institucioneve, përfaqësuesve të saj në Parlament dhe organeve të zgjedhura të pushtetit vendor, ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë luajale në kërkesat e saj në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe me Konventën e Këshillit të Europës për Minoritetet.
Mesazhi
Përgjatë bisedave me përfaqësuesit politikë shqiptarë në Malin e Zi, presidenti Topi konstatoi se shumë nga problemet e ngritura janë të përbashkëta, dhe kjo është arsye e fortë për gjetjen e një gjuhe të përbashkët mes tyre. “Nëse bashkëpunohet mes forcave politike, do të jetë edhe më e lehtë të gjenden zgjidhje të kënaqshme”, - vuri në dukje kreu i shtetit shqiptar. Në këtë kontekst, presidenti Topi nënvizoi se shfrytëzimi i të gjitha hapësirave që ofron legjislacioni i vendit për arritjen e qëllimeve në interes të shqiptarëve në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, si dhe ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta në Parlamentin malazez për çështje të caktuara, që preokupojnë komunitetin shqiptar janë të rëndësishme.

19 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›