E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni: Përse më urrejnë, unë i dua

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni do të qëndrojë në spitalin “San Raffaele” të Milanos edhe për 24 apo 36 orë të tjera. Kushtet e tij shëndetësore janë më të rënda nga sa ishte menduar një ditë më parë. Mbi të gjitha, Berluskoni ndjehej i fyer, jo për gjestin, por më shumë për atë që ai përfaqëson, urrejtjen. Drejtorit të spitalit ku po qëndron ai i ishte shprehur: “Unë i dua të gjithë, i dua të gjithë, nuk kuptoj se përse më urrejnë në këtë pikë”. Mjeku personal i Berluskonit ka deklaruar për mediat se kryeministri nuk mund të dilte dje nga spitali dhe se vendimi për sot nuk është marrë ende, priten konfirmime pas analizave të reja. Ai ka detajuar se “Kryeministri arrin të ushqehet me shumë vështirësi”. Parametrat jetësorë monitorohen vazhdimisht dhe mbahen në normë, por fraktura e kockave hundore është më e rëndë nga sa mendohej. Nesër do të vendosim, por nuk është e thënë se do të dalë, pasojat e goditjes janë më të rënda nga sa menduam mbrëmë në darkë”, u shpreh dje mjeku personal. Siguria e kryeministrit që sot e tutje do të shtohet. Ministri i Brendshëm italian, Roberto Maroni, tha se do të luftohen edhe adresat e errëta në internet që japin mesazhe pro dhunës kundër kryeministrit, ai hodhi kritika edhe kundër eksponentëve të opozitës, duke iu referuar Rosy Bindit, që tha se kryeministri tani nuk duhet të bëjë viktimën. “Berluskoni ka rrezikuar të plagoset rëndë madje edhe të vritej”, u shpreh ai.
Kërkon gazetat
Me gjithë gjendjen jo të mirë shëndetësore, kryeministri italian ka shfaqur obsesionin që i ka krijuar media për çdo ngjarje të jetës së tij. Sapo u zgjua dje në mëngjes, Silvio Berluskoni ka kërkuar të shohë gazetat, për të verifikuar se si është përcjellë ngjarja e rëndë në publik. Ndërkohë, mbështetësit e tij gjatë natës kishin vendosur një pankartë jashtë spitalit ku shkruhej: “President Berluskoni ju urojmë shërim të shpejtë. Italianët e vërtetë janë me ju përgjithmonë”!
Vizitat
Berluskoni është vizituar dje në spital nga shumë njerëz, mes të cilëve edhe Presidenti i Dhomës Përfaqësuese, Gianfranco Fini. Në makinë ai shoqërohej nga ministri Ignazio La Russa. Në spital ishte edhe Presidenti i rrjetit të televizioneve “Mediaset”, Fedele Confalonieri dhe Presidenti i Senatit, Renato Schifani. Ndërsa Papa Benedikti XVI i ka dërguar kryeministrit Berluskoni një telegram në të cilin i shpreh keqardhjen për agresionin në Milano.
Agresori: E urrej Berluskonin
Në kundërshtim me atë që është shprehur babai i agresorit, në emisionin e mëngjesit në “Kanale 5”, se “Votojmë Pd në familje dhe në shtëpinë tonë askush nuk e urren kryeministrin”, Massimo Tartaglia rrëfen: “E urrej Berluskonin”! Agresori është transferuar në qendrën e paraburgimit, San Vittore. Ai nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të detajuar për gjestin e tij, dhe është akuzuar për dëmtime të rënda e të shumta me paramendim dhe fyerjen e një zyrtari. Tartaglia, i cili ka probleme mendore, në rrëfimin e tij ka shpjeguar se kishte shkuar në “Piazza Duomo” për të ndjekur fjalimin e kryeministrit dhe më pas ishte larguar. Ndërsa po dilte nga sheshi kishte parë të parkuar makinën e kryeministrit dhe kishte dëgjuar disa turma që bërtisnin kundër tij. Kështu është kthyer pas dhe a ka gjetur Berluskonin përballë. Atëherë ka vendosur ta godasë atë me një statujë që kishte në dorë, të cilën e kishte blerë pak më parë. Ai tha se nuk ishte vrasësi i askujt dhe kishte zgjedhur vetë të vepronte ashtu. 
Napolitano: “Tani mjaft”
Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano iu bëri thirrje palëve politike që të qetësohen e të mos akuzojnë njëra-tjetrën për klimën e rëndë të krijuar në vend. “Nuk ka kuptim që palët të akuzojnë njëra-tjetrën për klimën e krijuar në vend. Nëse ka një sens të përbashkët përgjegjësie duhet kthehemi në një normalitet dhe të kemi një përballje civile mes forcave politike dhe institucioneve”, tha Napolitano.

Sulmi ndaj Berluskonit hap debate në “Facebook”

Në “Facebook” ka lindur një debat i fortë mes mbështetësve të Silvio Berluskonit dhe atyre të agresorit të tij, Massimo Tartaglia. Shumë shprehin solidaritet me kryeministrin, “Silvio mos u dorëzo, vazhdo kështu”, thuhet në një koment të tyre. Ndërsa për agresorin, Tartaglia, ka pasur mijëra klikime. Në “Facebook” mijëra komentojnë pro agresorit të presidentit të Këshillit italian, Silvio Berluskoni, të goditur me një mini-statujë në sheshin “Duomo” në Milano. Dje në orën 11.20 të paradites fansat e Massimo Tartaglia–s ishin rreth 48.000. të dielën, pas 30 minutave që kishte ndodhur incidenti, ndërsa në shesh turma bërtiste “Na e jepni ne atë kriminel”, në ueb, Massimo Tartaglia ishte kthyer në një “hero”. Grupet pro Tartaglia-s kishin të gjithë foton e Berluskonit të gjakosur. Mes mesazheve që jepen thuhet se Tartaglia ishte vetëm i pari dhe se do të ketë shumë të tjerë që do të sulmojnë Berluskonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›