E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërkombëtarët: Kosova e kaloi testin e demokracisë

 

Zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë kanë vlerësuar se procesi zgjedhor i së dielës e ka kaluar testin e demokracisë. Ambasadori amerikan, Kristofer Dell ka vlerësuar se balotazhi kaloi më mirë sesa raundi i parë. Zyrtarë të lartë të bashkësisë ndërkombëtare kanë vizituar vendvotimet shqiptare dhe serbe. Ambasadori Dell ka vizituar disa qendra të votimeve në komunën e Gjilanit, nga ku u largua i impresionuar me mënyrën e organizimit të tyre. Diplomati amerikan u shpreh se raundi i dytë i zgjedhjeve lokale ishte më i qetë sesa raundi i parë që u zhvillua më 15 nëntor. “Votimet u organizuan shumë mirë. Natyrisht tani ishin më të thjeshta, sepse kishte vetëm dy kandidatë për t’u votuar dhe njerëzit duken shumë më pak të hutuar rreth procesit. Kështu që mendoj se ka shenja pozitive se sot do të ketë zgjedhje të mira”, tha Dell. “Jam i impresionuar me seriozitetin e komisarëve të secilës qendër votimi. Ky do të jetë një test i kaluar për Kosovën”, shtoi ai. Edhe Shefi i ICO-së, Peter Feith ka dhënë vlerësime pozitive për procesin zgjedhor. Si KQZ-ja ashtu edhe OJQ-të kanë vlerësuar se parregullsitë që kanë ndodhur gjatë procesit nuk mund të ndikojnë në tërësinë e procesit zgjedhor. KQZ-ja dhe “Demokracia në veprim” kanë nxjerrë rezultatet e tyre për 21 komunat ku u votua, të cilat ishin të ngjashme, me pak luhatje në përqindje. Ka pasur një balotazh tjetër në Prizren mes PDK-së dhe LDK-së, të cilin LDK-ja vazhdon ta kontestojë, duke pretenduar fitoren.

Rezultatet, sipas KQZ-së:

Gjilan:         PDK 51.4% - LDK 48.6%
Sharr:         PDK 53.3% - LDK 46.7%
Kaçanik:     PDK 57.9% - AAK 42.1%
Klinë:         PDK 56.3% - AAK 43.7%
Dardanë:     LDK 54.1% - PDK 45.9%
Mitrovicë:     PDK 53% - AKR-LDD 47%
Lipjan:         PDK 50.5% - LDK 49.5%
Kastriot:     LDK 51.9% - PDK 48.1%
Rahovec:     PDK 50.8% - LDK 49.2%
Prizren:         PDK 50% - LDK 50%
Vushtrri:     PDK 63.5% - AAK 36.5%
Malishevë:     PDK 61.8% - LDK 38.2%
Artanë:         LDK 80.9% - SNSD 19.1%
Burim:         LDK 70.8% - AAK 29.2%
Pejë:         AAK 76.7% - LDD-AKR 23.3%
Besianë:    LDK 66.5% - PDK 33.5%
Shtërpcë:     SLS 65% - PDK 35%
Therandë:     AAK 52.4% - PDK 47.6%
Viti:         PDK 55.2% - LDD 44.8%
Junik:        AAK 56.7% - LDK 43.3%
Hani i Elezit:     I pavaruri, 53.3% - PDK 46.7%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›