E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marashi: Objektet pa pasaporta, urgjent dixhitalizimi

 

Alma Mile

Sesione shkencore, përkujtim figurash të shquara, prezantime librash dhe ekspozita. Qendra Studimore Albanologjike organizon për të parën herë Ditët e Albanologjisë. Drejtori i Qendrës, Ardian Marashi tregon se si lindi kjo iniciativë dhe cili është qëllimi i saj. Sipas Marashit është një mundësi për t’iu qasur publikut me anë të botimeve dhe sesioneve, por edhe për ta njohur she sensibilizuar atë në lidhje me pasurinë trashëgimore etnografike, që ruan kjo qendër. Marashi rendit fushat ku duhet ndërhyrë në mënyrë urgjente, siç është dixhitalizimi i fondit etnografik, inventarizimi i tij dhe sigurimi.
Për herë të parë Qendra Studimore Albanologjike organizon “Ditët e Albanologjisë”, si lindi ideja dhe cili është qëllimi?
Organizimi i Ditëve të Albanologjisë është çështje vullneti në radhë të parë e pastaj çështje praktike. Çështje vullneti, sepse ne duam të tregojmë se çfarë bëhet nëpër institute. Duke pasur një karakter të veçantë, botimet albanologjike nuk shkojnë tek lexuesi i gjerë dhe në momentin që këtij kufizimi ne i veshim edhe heshtjen, atëherë përse ekzistojnë botimet albanologjike?! Kjo ishte nxitja e parë. Përveç botimeve ka edhe punë të tjera që kanë nevojë të vihen në vëmendje të publikut dhe QSA ka nevojë ta sensibilizojë atë. Janë figurat e rëndësishme, të njohura, ose jo, që ne i kujtojmë me sesione shkencore, por më kryesorja, është që ne kemi vendosur dhe po e vëmë në praktikë, që një ndër autoritetet më të larta dhe të padiskutueshme në fushën e albanologjisë të ketë një vit të vetin. Kjo mund të përkojë me një përvjetor, si një vit më parë me Çabejn, apo këtë vit me Selman Rizën, por mund të jetë dhe pa ndonjë përvjetor. Ideja është të mblidhemi rreth një autoriteti të albanologjisë dhe të vijojmë në dy ditët e tjera veprimtari të larmishme, paraqitje botimesh të ndryshme, sesione të ndryshme shkencore që informojnë publikun, etj.
QSA ka si pjesë shumë të rëndësishme fondin etnografik, i cili deri më sot pak njihet, keni në plan ta bëni atë të njohur për publikun?
QSA nuk është thjesht një organizëm botues, por ka lidhje të drejtpërdrejtë me pasurinë e madhe të mirëfilltë materiale që ruan. E kam fjalën për arkivat e pasura të etnografisë, arkeologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë, që kanë mbetur të njohura pak, ose aspak për publikun e gjerë. Madje edhe për studiuesit kanë qenë të kufizuara. Momentalisht nuk kemi një muze për arkivat e etnografisë për të treguar se çfarë vlerash kemi, në një kohë që ato kanë nevojë të tregohen. Nëse vazhdojmë t’i mbajmë të mbyllura në magazina, si janë mbajtur për shumë kohë, nuk kemi bërë punën më të mirë. Sigurisht janë ruajtur dhe konservuar deri në një masë të mundshme, nuk kanë humbur dhe ruhen në një gjendje të mirë materiale, por duhet absolutisht që ato të bëhen të njohura, si të thuash që të dijë “familja se çfarë fsheh i zoti i shtëpisë”.
Mund të quhet ekspozita që do hapni këto ditë, një fillim i mbarë?
E kemi quajtur ekspozitën “Thesare të kulturës popullore shqiptare”. Duke mos pasur vend ekspozimi, ekspozita do të jetë e hapur në një kohë të kufizuar, vetëm 1 orë e gjysmë, ku do të jenë të ftuar autoritete e shtetit, anëtarë të trupit diplomatik dhe media. Kjo për shumë arsye, së pari është sensibilizimi i këtij publiku për nevojën që ka fondi etnografik për restaurim, për mirëmbajtje dhe për ekspozim. Por do ta nisja nga dixhitalizimi, që do të ruajë fotografitë e objekteve. Ka ndodhur që ndonjë objekt është zhdukur, humbur, shitur (si në rastin e kokës së Asklepit) dhe në momentin që kërkohet fotografia, apo pasaporta, ajo mungon, sepse në fakt ka munguar procesi bazë i dixhitalizimit, që duhet të kishte nisur qysh në vitin ’94-’95. Por edhe regjistrat që janë në funksion tani për tani, janë të vjetër dhe nuk i përshtaten praktikës së sotshme të punës me fondet dhe arkivat.
Keni ndonjë projekt konkret në këtë drejtim?
Projektet janë, por janë relativisht të kushtueshëm dhe vetë shteti (Ministria e Arsimit dhe Shkencës) nuk e përballon dot i vetëm. Do të merrja si shembull një objekt arkeologjik të një rëndësie të veçantë, që është në rrotë qerreje e shek. II para Krishtit. Është unikale për një pellg shumë të gjerë dhe është njohur si e tillë nga ekspertët gjermanë të arkeologjisë. Ajo pret restaurimin, por kushton afërsisht 1 milion euro, pra nuk ka shtet ta përballojë i vetëm këtë gjë. Ndaj ne zgjodhëm këtë mënyrë sensibilizimi, në mënyrë që kur të trokasim në derë ata ta dinë se kush jemi dhe për çfarë. Do ta quaja një lloj SOS-i.
Është folur shumë për ngritjen e një muzeu etnografik në ambientet e MHK-së, por ende nuk është bërë asgjë, çfarë ka çaluar?
Për Muzeun e Etnografisë, që do ngrihet në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, përgatitjet fizike janë bërë, sepse QSA ka dërguar qysh një vit më parë një fond prej 1200 objektesh dhe për nga hapësira e ekspozimit dhe objekteve ngjan më shumë me një muze i mirëfilltë, se sa me një pavijon. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është një makineri e rëndë si çdo ministri tjetër, por problemi qëndron tek projektet dhe mosmiratimi i tyre deri në momentin që të jetë bindës. Këtu nuk mund të gabohet. Fondet janë, të paktën kështu është thënë. Dhe me sa di unë nga fundi i qershorit muzeu mund të jetë gati. Gjithnjë brenda ambienteve të MHK-së. Kjo ka problematikën e vet se është një muze brenda muzeut, si një dramë brenda dramës, por në mungesë të një vendi… Në të ardhmen mendojmë të kemi një muze më vete.
Nëse do ta quanim këtë aktivitet 3-ditor një bilanc vjetor, ku ka çaluar puna juaj dhe cilat janë detyrat urgjente për vitin tjetër?
Është puna me fondet, inventarizimi, që pa dashur të them se në cilët sektorë, nuk është bërë prej 40 vitesh, pastaj dixhitalizimi i fondeve në masën sa më të madhe, sigurimi i gjendjes së arkivave, fondeve, bibliotekave, bashkimi në një bibliotekë të madhe të përbashkët, ku do të jetë biblioteka e të gjitha instituteve së bashku me fondet arkivore të ndryshme që e kemi quajtur mediateka albanologjike, sepse përveç librit ofron fonde zanore, fotografike, filmike, objekte të arkeologjisë, etnografisë, gjithçka që disponohet në sferën e kulturës materiale.

Kalendari i Ditëve të Albanologjisë

Dita e parë, 14 dhjetor
09.00-10.00 Ceremoni e dekorimit të prof. Selman Rizës me urdhrin “Nderi i Kombit” (postum)
11.00-12.00 Simpozium shkencor: “Selman Riza, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare”
Dita e dytë, 15 dhjetor
09.00-10.00 në Akademinë e Shkencave
Ceremoni e pensionimit dhe titullarizimit shkencor.
10.30-12.00 Promovim botimesh albanologjike 2009 (studime monografike, botime kritike, revista shkencore, akte të konferencave)
12.30-15.00 Tryeza e debatit shkencor: “Sistemi rasor i emrave të shqipes”, “Albanizma”
Dita e tretë, 16 dhjetor
10.00-11.30, në Muzeun Arkeologjik
Ekspozitë e përkohshme: “Thesare të kulturës materiale shqiptare”.
12.00-15.00 në Akademinë e Shkencave
Sesion shkencor “Vepra postum”
Nikollë Dakaj, vlera të një autori të rizbuluar”
“Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, vepra e plotë e autorëve të pushkatuar”
17.30-19.30 në Bibliotekën e Arkeologjisë
Tryezë e rrumbullakët: “Strategjitë e zhvillimit të arkeologjisë shqiptare”.

Selman Riza, “Nderi i Kombit” në 100-vjetor

Në 100-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit”, gjuhëtarin e shquar, Selman Riza, me motivacionin: “Shkencëtarit të shquar, që me veprën e tij krijoi një thesar të çmuar në fushën e gjuhësisë dhe arsimit shqiptar, personalitetit të spikatur, me kontribut shumë të rëndësishëm në zhvillimin e albanologjisë”. Ky urdhër iu dorëzua të birit të gjuhëtarit, prof. Emin Riza.
Pas ceremonisë të zhvilluar dje paradite, u mbajt sesioni shkencor “Selman Riza, figurë e shquar e gjuhësisë shqiptare”. Studiues të njohur nga Shqipëria e Kosova, si Rexhep Ismajli, Kolec Topalli, Shaban Demiraj, Ethem Likaj, Seit Mancaku, Floresha Dado, Bahri Beci, etj., folën mbi veprën e gjuhëtarit, e cila fatkeqësisht njihet pak. Ndonëse një ndër emrat më të njohur në fushën e vet, por njëkohësisht dhe atdhetar i spikatur, Riza, është përndjekur nga sistemi komunist, duke i mohuar atij të drejtën e publikut të veprës. Edhe pas rënies së diktaturës, pa është bërë në drejtim të rivlerësimit ët figurës së Rizës. Vepra e tij është botuar vetëm në Kosovë. Vetëm këto ditë, me rastin e 100-vjetorit u publikua vepra e plotë e Selman Rizës, një botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Qendrës Studimore Albanologjike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›