Bunjaku “çmend” fotografët, akrobaci pas golit
Kosovari Albert Bunjaku shënoi një gol me vlerë në barazimin 1-1 të Nurembergut kundër Eintrahtit të Frankufurtit, në takimin e vlefshëm për javën e dytë të Bundesligës 1, që përkoi edhe me debutimin e tij në kompeticionin maksimal gjerman. Festimi i tij në versionin “akrobati”, salto me rrotullim, i befasoi fotografët, që nuk pushuan së shkrepuri blicët. Ky ishte goli i parë i ish-futbollistit të Kombëtares U-21 zvicerane, por për 25-vjeçarin nga Kosova, partner në sulm me sulmuesin grek Angelos Karisteas, rrjeta kishte një domethënie më të madhe. “Është diçka e pabesueshme. Është një fillim perfekt”, - tha futbollisti me rrënjë nga Kosova, shkruan faqja zvicerane Blick.ch. Në të vërtetë, Bunjaku shënoi dy gola në atë takim, por tjetri u konsiderua jashtë loje, pavarësisht se shqiptari e konsideroi anulimin një vendim të padrejtë. “Është e qartë që është e vështirë, që të pranosh një vendim të tillë. Por, ky është futbolli”. Bunjaku flet edhe për konkurrencën në sulm me dy futbollistët e tjerë, Eigler dhe Boakye: “Tashmë kam një kartëvizitë dhe shpresoj se në ndeshjen e ardhshme ta filloj nga minuta e parë”.
Diego, debutim prej fenomeni
Debutim me vota të plota. Ndeshja e parë italiane e Diegos me fanellën e Juventusit ishte një sukses komplet. Goli në “San Siro” kundër Milanit në trofeun “Berluskoni”, prezantimi për ta pasur në kornizë dhe tifozët bardhezi që tashmë fërkojnë duart. Kjo është tabloja, ndërkohë që Juve është e bindur se tani ka një kampion të ri e një thesar me vlera në shtëpi. “Jam shumë i lumtur që luajta dhe shënova në një vend kaq special si ky, - komentoi braziliani i ardhur nga Verder Bremen në përfundim të sfidës në “San Siro”, - para së gjithash kur mendoj se isha larg fushave për pak kohë. Nuk jam ende në 100 për qind, por do të jem në fillim të kampionatit. Objektivat? Juventusi duhet të mendojë gjithmonë të fitojë, kurrë vetëm të marrë pjesë. Jemi një skuadër e madhe, edhe pse në disa gjëra duhet ende të përmirësohemi. Objektivi ynë është të fitojmë, shpresojmë t’ia dalim”. Diego jep dhe një mendim në lidhje me Ronaldinjon. “Është gjithmonë një lojtar special, - thotë bashkëkombësi i tij në lidhej me yllin e Milanit, - si mik dhe si brazilian shpresoj se mund të luajë gjithmonë më mirë”. Prova e madhe e Diegos kundër Milanit i ka dhënë kënaqësi edhe lojtarëve të tjerë bardhezinj. Fabio Kanavaro tha: “Diego dëshmoi se është një lojtar i rëndësishëm për skemat tona”. Juventusi do të luajë ditën e diel kundër Kievos së Erjon Bogdanit.
19 Gusht 2009