Bogdani i futet punës, do gol para Kuzhesë
Sulmuesi i Kievos, Erjon Bogdani, me golin e tij ishte një ndër protagonistët e fitores 3-0 të verdhebluve veronezë kundër Mantovës, që solli edhe kualifikimin e skuadrës së shqiptarit në turin e katërt të Kupës së Italisë, por tashmë kundër Juventusit në javën e parë të kampionatit italian, “Er-Bomber” ka një motiv më shumë për të shënuar kundër portierit më të mirë të Italisë, Xhixhi Bufonit. Pas pushimit të ditës së hënë të dhënë nga trajneri Di Karlo, dje skuadra e Kievos nisi përgatitjet në kuadër të javës së parë të kampionatit italian, ku e pret një përballje e vështirë në Torino kundër Juventusit. Gjatë kampionatit të kaluar Bogdani shënoi vetëm një gol, atë kundër Lacios, por “Princi i Epirit”, pohoi se ndihet në formë të plotë për të pasur një sezon në nivel të lartë në vitin e fundit kontraktual me Kievon. Sot, djemtë e Di Karlos do të angazhohen një test kontrolli kundër Sant'Anna d'Alfaedo, ku do të përcaktohet edhe formacioni bazë që do të luajë nga minuta e parë kundër Juventusit të Çiro Ferrarës.
PROJEKTI - Takimi midis Juventusit e Kievos në “Dele Alpi” ka një të ftuar “VIP” në tribunën kryesore të “Dele Alpit”, pikërisht trajnerin e Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, i cili do të ndjekë në aksion sulmuesin kryesor kuqezi, Erjon Bogdanin. Vizita e Kuzhesë në ndeshjen hapëse të edicionit të Serisë A është pjesë e një plani të detajuar të kroatit për të bashkëbiseduar me futbollistët e përfaqësueses në kuadër të shpjegimit të projektit të tij njëvjeçar për eliminatoret e Kampionatit Europian 2012.
“GJERMANËT” - Kuzhe së fundi ishte në një vizitë punë në Gjermani ku bisedoi me mesfushorin Jahmir Hyka (Mainc 05, Bundesliga 1) dhe sulmuesit Edmond Kapllani (Augsburg, Bundesliga 2) dhe Besart Berisha (Arminia Bielefeld, Bundesliga 2). Në fakt, Kuzhe pati fatin të ndiqte në aksion vetëm anësorin Hyka (luajti për rreth 20 minuta si zëvendësues në pjesën e dytë), ndërkohë që si Kapllani ashtu dhe Berisha nuk u aktivizuan me skuadrat e tyre.
Skela ende në “ajër”
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Ervin Skela, është ende pa një skuadër për sezonin e ri futbollistik, kur nga mbyllja zyrtare (31 gusht) kanë mbetur më pak se dy javë kohë. Mesfushori shqiptar është stërvitur javët e fundit në shtëpinë e Bajer Leverkuzenit, por pa marrë ende ndonjë ofertë konkrete nga klubi i Bundesligës gjermane. Skela gjatë një prononcimi për mediat shqiptare pohoi se kishte refuzuar disa oferta (jo të mira nga pikëpamja financiare) nga klube të Bundesligës së dytë gjermane. Ndeshja e fundit e Skelës në futbollin e luajtur është ajo me Kombëtaren e Shqipërisë kundër Qipros (6-1), ku fantazisti shënoi dy gola nga pika e bardhë e penalltisë.
19 Gusht 2009