E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rruga e ngjalave” e Luan Starovës flet frëngjisht



“Rruga e ngjalave” titullohet romani i akademikut të njohur shqiptar në Maqedonia, Luan Starova, që kohët e fundit është përkthyer në gjuhën frënge. Ky libër, i cili vjen i pesti në radhë sa i takon sagës ballkanike të Starovës është botuar nga “Syrtes”. Romani shoqërohet me një parathënie të kritikut francez Erik Faye, ndërkohë që romancieri dhe esteti francez, Pierre-Robert Leclercq shprehet në të përditshmen “Le Monde” se “Shtresa letrare imponohet me vlerën e saj romaneske, përkatësisht depërtimin e fakteve dhe reagimeve të personazheve në romanin me plot tipare psikologjike dhe me po aq ngjarje të rëndësishme, historike për nga kufijtë kohorë; romanin në të cilin ngjallen epokat dhe episodet dramatike, pasojat e të cilave janë akoma aktuale; romanin me karakter universal, sepse, gjersa fondi bazik paraqet hapësirë të kufizuar gjeografike, të gjithë emigrantët, pa qëllim e pa shpresë, para udhëve të hapura të jetës, ngjallen në personazhet e Luan Starovës.” Luan Starova renditet mes autorëve të urtë ballkanas, të cilët e ndiejnë dhe e transformojnë dhembjen shekullore të Ballkanit, duke e shndërruar në akt poetik. Romanet e "Sagës ballkanike" krijohen si metafora të mëdha të koncentruara përreth figurës qendrore të Babait, "rojës" së bibliotekës familjare, duke u mishëruar njëkohësisht në memorie, përvojë dhe histori. "Rruga e ngjalave" nuk është as fillim, as pelegrinazh, as emigrim, por pushtim i mundimshëm i një jete. Për filozofin Edgar Morin, ky roman është një "vepër e çuditshme letrare, por edhe si libër për një poetikë historike, me dimension të caktuar mitik". "Saga ballkanike", të cilën autori ka nisur ta shkruajë një dekadë përpara, ka mbërritur tani në një pikë që mund ta quash pa frikë një epope letrare mbi një familje shqiptare, që u mbijetoi ngjarjeve tragjike të shekullit të XX. Veprat e akademik Luan Starovës janë përkthyer në gjuhë të ndryshme; anglisht, greqisht, rumanisht, italisht, bullgarisht, spanjisht, si dhe në gjuhët kroate e polake. Gjithashtu, “Saga ballkanike” prej dhjetë veprash e autorit në fjalë po përkthehet në gjermanisht e në turqisht.

19 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›