Sukaj del nga fjala, prish marrëveshjen me Vllazninë
Edhe pse ra të hënën dakord me presidentin e klubit shkodran, Valter Fushaj, sulmuesi Xhevair Sukaj është penduar për fjalën e dhënë dhe nuk do të veshë fanellën e Vllaznisë në sezonin e ri futbollistik, që fillon më 23 gusht. Është vetë ish-lojtari i Haccetepe Sporit që e bëri të ditur tërheqjen e tij. Arsyet që e shtynë në vendimin ekstrem janë ende të panjohura, por burime pranë sulmuesit thanë se në tratativë është një ofertë e ardhur nga një klub i huaj. Sukaj para pak ditësh nuk e kaloi provën me Hansa Rostokun në Gjermani e nuk pranoi ofertën financiare të turqve të Bolusporit, një skuadër e kategorisë së dytë ku luan mesfushori i Kombëtares shqiptare, Gilman Lika. Vllaznia është në pritje të konfirmimit të ganezit Xhejms Boadu, të cilit i ka dërguar edhe ofertën financiare, ku ka një mospërputhje me atë që flitet se kërkon Boadu (rreth 50 mjë euro) dhe një shifër më të ulët që propozon Vllaznia. Me nënkampionët e Shqipërisë janë ish-sulmuesi i Shkumbinit, Erjon Rizvanolli dhe ish-mbrojtësi i Kombëtares, Blerim Rrustemi, ky u fundit sezonin e kaluar luajti në Qipro me Alkin. Vllaznia do të luajë në javën e parë të kampionatit në transfertë me Besën e Kavajës. Në dy miqësoret e fundit, skuadra shkodrane humbi 0-1 me Laçin dhe barazoi 0-0 me Kastriotin, duke dhënë një sinjal të qartë se kundrejt një Besë tepër aktive në merkato dhe me rekrutime të bujshme do ta ketë shumë vështirë.
“UFA” fut në kolaps kampionatin
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit do të mblidhet sot për t’i dhënë dorën e fundit përgatitjeve para sezonit të ri futbollistik, që nis më 23 gusht me gjashtë ndeshjet e javës së parë të Superligës. Një nga çështjet e që do të diskutohen është dhe shitja së drejtës televizive të ndeshjeve të Kategorisë Superiore një kompanie gjermane “UFA”, ku çmimi minimal sipas drejtuesve të FSHF-së (sekretarit Prodani) është 300 mijë euro. Kjo është hera e parë që e drejta televizive shitet në bllok, pasi më parë klubet si Tirana, Dinamo, Partizani apo Vllaznia e shisnin atë të veçuar. Në fakt, kalendari i kampionatit shqiptar superior, ku marrin pjesë 12 skuadrat më të mira, ka një “ngërç” jo të parëndësishëm, madje shitja e së drejtës televizive e ka futur në një “kolaps” atë, përsa i përket datave të zhvillimit të ndeshjeve. Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit pritet të diskutojë sot edhe për datat e zhvillimit të ndeshjeve të KAtegorisë Superiore, në bazë të projektit që i ka paraqitur sektori i garave. Por mësohet se gjithçka varet nga shitje e të drejtës televizive, pas ofertës joshëse që ka bërë kompania “UFA”. Në varësi të kontratës midis FSHF-së dhe kompanisë, do të bëhen të qarta edhe detajet e fundit në lidhje me datat e sakta të zhvillimit të ndeshjeve të kategorisë superiore për sezonin futbollistik 2009-2010.
Muça-Karabeci, “peng” i rregullores
Mesfushori Gentian Muça dhe fantazisiti Erando Karabeci janë dy nga blerjet verore të Dinamos, por që të dy mund të mos kenë fatin të luajnë me 17-herë kampionët e Shqipërisë, nëse klubi i presidentit Besnik Sulaj nuk do të paguajë një shumë të caktuar (1 milionë lekë) respektivisht Tiranës dhe Partizanit. Të dy lojtarët kanë dalë pikërisht nga ekipet e moshave të dy klubeve të tjera kryeqytetas dhe sipas rregullores duhet të paguajnë për investimet që ka bërë klubi i tyre i mëparshëm. Te Dinamo, që do të përballet me Kastriotin (të dielën) mbërriti edhe mbrojtësi senegalez, Pape Diop.
19 Gusht 2009