E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për një femër, merret peng tregtari

 TIRANE - Një tregtar nga Fieri dhe miku i tij kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit mesditën e djeshme me akuzën e “heqjes së paligjshme të lirisë”. F. Memlikaj e J. Todhe janë arrestuar në afërsi të Ndroqit në Tiranë, pasi kishin marrë peng një tregtar nga Vlora. Gjithçka ka ndodhur pas një konflikti që kishte nisur me mesazhe kërcënuese në celular, mes vlonjatit A. Avrami dhe fierakut Memlikaj, të cilët nuk njiheshin me njëri-tjetrin, por kishin zbuluar se komunikonin me të njëjtën vajzë në telefon. Burime nga policia thanë se ngjarja është denoncuar nga e njëjta vajzë, që sipas hetimeve kishte qenë sebepi i ngjarjes së djeshme. Rreth orës 10:00 policia është vënë në lëvizje për lirimin e tregtarit A. Avrami, pronari i një magazinë me produkte ushqimore në Vlorë. Sipas të dhënave nga grupi hetimor mësohet se autorët e dyshuar të ngjarjes nuk e kishin takuar asnjëherë Avramin, por konflikti mes tyre kishte nisur nëpërmjet mesazheve me telefon, duke kërcënuar njëri-tjetrin. Memlikaj kërcënonte Avramin pasi kishte zbuluar se ai kishte njohje me një mikeshën e tij. Presioni nëpërmjet të telefonit ka zgjatur disa javë, derisa autorët kanë detyruar vajzën që t’i telefonojë tregtarit, në mënyrë që të takoheshin në Tiranë për të sqaruar keqkuptimin me ta. Menjëherë pas telefonatës së vajzës, emri i të cilës nuk bëhet i ditur, A. Avrami është nisur nga Vlora për në Tiranë dhe në orën 10:00 ka takuar në Laprakë vajzën që i kishte kërkuar takim. Por menjëherë sapo është takuar me të, atyre u janë afruar F. Memlikaj dhe J. Todhe, të cilët e kanë detyruar me forcë që të futej në makinën e tyre dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të Unazës së Re. Vajza e tronditur, duke qenë se nuk kishte dijeni për planin e dy miqve të saj fierakë, është drejtuar për në polici dhe ka denoncuar ngjarjen. Brenda pak minutash policia ka mundur të zbulojë vendndodhjen e autorëve në afërsi të Ndroqit, ku ata kishin ndaluar makinën dhe i bënin presion Avramit për të mos folur më me mikeshën e tyre. Ndërhyrja e policisë ka liruar pengun dhe ka arrestuar dy autorët e ngjarjes.                               e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›