Gripi i derrave, shkon në gjashtë numri i viktimave
zirina llambroShkon në 6 numri i viktimave nga gripi i derrave në vendin tonë.Një 51-vjeçare nga Kukësi nuk arriti t’i mbijetojë virusit, as pas trajtimit të specializuar në spitalin Infektiv. Nga sa bëjnë me dije mjekët viktima vuante edhe nga sëmundjet e tuberkulozit dhe të zemrës. Përpara se gripi të përparonte, ajo kishte qëndruar e shtruar gati një muaj në spitalin e Kukësit. Gjithçka e konfirmoi dje edhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij dikasteri, ndonëse kemi më pak të prekur nga grupi i derrit, vihet re një shtim i rasteve me komplikacione. Gjithsesi, krerët e ministrisë bëjnë me dije se situata është tërësisht brenda kontrollit. “Madje, mund ta quajmë deri diku përmirësim të situatës faktin që vetëm tre ditë më parë 5 persona dolën nga gjendja kritike për jetën, në një kohë kur kishin ditë të tëra në reanimacion si pasojë e virusit”, u shpreh drejtori i politikave shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë Pëllumb Pipero. Rastet e rënda me grip derri aktualisht trajtohen në repartet e terapisë intensive në spitalin “Nënë Tereza” dhe Qendrën Spitalore Universitare të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”. Ndërkaq, mjekët bëjnë apel të mos neglizhohen shenjat e gripit, sidomos nga të sëmurët kronikë, që janë edhe grupi me i rrezikuar për të pasur komplikacione. Dy ditë më parë mbërritën 10 mijë dozat e para të vaksinës kundër gripit AH1N1, të cilat do të nisin sot të shpërndahen në drejtoritë e shëndetit publik e më tej në qendrat shëndetësore. Kjo vaksinë nuk do të jetë e detyrueshme. Specialistët sqarojnë se ajo nuk ka komplikacione. Sipas të dhënave sasia e parë e vaksinave do t’u ofrohet fëmijëve mbi 1 vjeç me një sëmundje kronike shoqëruese dhe disa grupeve të personelit shëndetësor me ekspozim më të madh ndaj pacienteve të sëmurë me AH1N1 siç janë infeksionistët, reanimatorët apo pediatrit. Vaksina e ofruar nga Ministria e Shëndetësisë parashikohet, që krahas masave të marra deri më tani, të japë një efekt pozitiv në kontrollin e pasojave në shëndet për personat e prekur apo ata që rrezikojnë në këtë situatë përhapjeje të gripit të ri AH1N1.