Kanadaja refuzon ekstradimin e shqiptarit të kërkuar për vrasje
KANADA - Ministria e Drejtësisë së Kanadasë i ka refuzuar Italisë ekstradimin e një shqiptari, i cili kërkohet prej dy vitesh me akuzën e vrasjes. Autoritetet kanadeze ende nuk kanë dhënë një shpjegim për këtë vendim, por pritet që ta argumentojnë në ditët në vijim. Florenc Shamo, 24 vjeç, mbahet në paraburgim në Nova Scotia që nga 16 janari 2009, kur ai u arrestua për falsifikim dokumentesh. Fillimisht shqiptari u arrestua në Kanada pas kërkesës së italianëve, por më pas ndalimi i tij u argumentua me faktin se ai u kap me pasaportë të falsifikuar. Në seancat gjyqësore për ekstradimin në Kanada, përfaqësuesi i qeverisë u tërhoq nga kërkesa, por nuk dha shpjegime mbi këtë vendim. Përfaqësuesi James Martin tha se qeveria nuk do të kërkojë më në gjykatë ekstradimin e Shqiptarit të akuzuar për vrasje në Itali. Florenc Shamo mbetet në paraburgim, ndërkohë që gjyqi është në udhëkryq dhe pritet që vendimi për dënimin e tij me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve” të jepet vitin e ardhshëm. Sipas të dhënave nga mediat kanadeze, mësohet se shërbimet e policisë kufitare do ta dëbonin atë, por ai është duke kërkuar azil mbi bazën e asaj që jeta e tij do të jetë në rrezik në Evropë. Policia italiane nxori një urdhër për arrestimin e Shamos në mars të vitit 2008. Ai është akuzuar për vrasje në shkallë të parë, në muajin gusht 2007 me pasojë vdekjen e 26-vjeçarit Ervis Daci, shqiptar me banim në Firence. Policia ka arrestuar dy persona të tjerë në Itali dhe Holandë në lidhje me këtë vrasje. Mediat kanadeze në janar, kur u arrestua Florenc Shamo, shkruanin se ai ishte arratisur nga Italia, menjëherë pasi u akuzua për vrasjen e bashkatdhetarit të tij. Madje, për t’iu shmangur ndjekjes së policisë Shamo kishte bërë një operacion plastik në fytyrë dhe kishte falsifikuar pasaportën me identitet të rremë. Sipas policisë italiane, Shamo, i cili ndiqej nga karabinierët, kishte arritur që të rikthehej sërish në Shqipëri nga Holanda, ku ndenji për pak kohë. Ai udhëtoi për në Greqi, ku kreu një operacion plastik në fytyrë, me qëllim që nga agjentët të ishte e vështirë që ai të identifikohej dhe të arrestohej. Më pas, 24-vjeçari udhëtoi për në Spanjë. Sipas policisë, pas operacionit, ai kishte zvogëluar hundën dhe kishte ndërhyrë tek mollëzat. Gjithashtu, kishte ndryshuar modelin e flokëve, duke bërë që për policinë të ishte e vështirë identifikimi.