E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau adoleshentin, kërkohet italiani

 TIRANE – Prokuroria shqiptare ka dërguar drejt shtetit italian kërkesën për ekstradimin gjahtarit 30-vjeçar Evelino Casara, i dënuar me tre vite burg për vrasjen nga pakujdesia të një të mituri në qytetin e Lushnjës. Ngjarja e rëndë për të cilën italiani është gjetur fajtor nga Gjykata e Lartë ka ndodhur disa vjet më parë, por që për shumë kohë drejtësia nuk kishte mundur të jepte një vendim fajësie për të. Italiani Casara është dënuar me 3 vite burg nga Gjykata e Lushnjës, por Apeli i Vlorës i ka dhënë pafajësinë. Rekursi i paraqitur nga prokuroria në Gjykatën e Lartë është marrë në konsideratë nga kolegji penal pesanëtarësh, çka ka bërë që gjahtari italian të shpallej fajtor. Ngjarja për të cilën u dënua italiani ka ndodhur më 17 tetor 2003, kur i shoqëruar nga adoleshenti Klevis Bilçari, të cilin e kishte pajtuar si ndihmës kundrejt pagesës 10 euro dita, ka shkuar të gjuajë në fshatin Gjazë, komuna Krutje e Lushnjës, pranë arave të banorit Lirim Abdurrahmani. Teksa po gjuanin aty ka ardhur Bledar Abdurrahmani, bashkëmoshatar i Bilçarit, i cili ka nisur të punojë tek ara e vet. Italiani ka qëlluar drejt tij duke e lënë të vdekur, ndërsa policia e mbërritur në vendngjarje ka arrestuar adoleshentin Bilçari, i cili fillimisht ka marrë fajësinë. Pak orë më vonë italiani është larguar nga Shqipëria, ndërsa pas tre vitesh adoleshenti ka dalë i pafajshëm dhe akuza i është ngarkuar italianit, për të cilin tashmë është kërkuar sjellja e tij me pranga në Shqipëri për të vuajtur dënimin.                 fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›