E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gjobë” me emrin e Dritan Dajtit

 Fatos Mahmutaj Një person pa asnjë lidhje me Dritan Dajtin ka përdorur emrin e të shumëkërkuarit në kohën kur ai ishte në arrati për “të vënë gjoba”. Pas denoncimit gjithçka është zbuluar dhe “gjobëvënësi” ka përfunduar në gjykatë, ku është dënuar me 60 mijë lekë gjobë për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike. Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës që Dritan Dajti ndodhej në arrati, ndërsa si pasojë e kësaj ngjarjeje dhe disa përplasjeve të tjera me policinë ishte kthyer në një nga eksponentët më të rrezikshëm të krimit. Por ndryshe nga kjo, vetë Dajti ndoshta nuk e ka pasur idenë që persona të tjerë përdornin emrin dhe imazhin e keq që kishte ai për të vënë gjoba. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që e ka dënuar 38-vjeçarin A.A., me 60 mijë lekë gjobë, thuhet se biznesmeni Y.B., kishte konflikte pronësie dhe ndodhej në gjyq me biznesmenin Z.H., për një hotel të njohur në qytetin e Durrësit. Gjatë kësaj kohe një person i ka telefonuar në celularin e tij nga numri 06933... duke iu prezantuar si Dritan Dajti dhe e ka kërcënuar me jetë së bashku me familjen e tij. Sapo ka dëgjuar emrin e Dajtit biznesmeni i kërcënuar ka kontaktuar me kundërshtarin e tij në gjyq, por ai i ka dhënë përgjigje mohuese. Pas kësaj një tjetër person, B.ç., i njohur i të kërcënuarit, ka folur me të pandehurin A.A., duke e pyetur nëse kishte lidhje me kërcënimin, por ka marrë përgjigje mohuese. Por pak kohë më vonë, një tjetër person, me iniciale A.E., ka pohuar se i pandehuri A.A., e kishte takuar dhe i kishte kërkuar që ta ndërmjetësonte për të takuar të kërcënuarin pasi donte të sqaronte më të konfliktin e pronësisë për hotelin e njohur në Durrës. Pikërisht në këtë moment ka nisur zbardhja e ngjarjes. Organi i akuzës i kryeqytetit pas marrjes së denoncimit nga i kërcënuari ka nisur hetimin duke analizuar aparatin dhe numrin e celularit nga ishte bërë kërcënimi. Kompania celulare në shkresën dërguar prokurorisë ka nxjerrë se numri nga i cili është bërë kërcënimi është përdorur vetëm për të bërë një telefonatë dhe se ishte vënë në përdorim në aparatin celular të të pandehurit. Kjo sipas prokurorisë është provë e pakontestueshme, duke kërkuar dënimin e të akuzuarit me një milionë lekë të vjetra gjobë. Por gjykata duke vlerësuar rrethanat lehtësuese që i ofron ligji e ka ulur dënimin në 60 mijë lekë gjobë, të cilat janë shlyer nga i pandehuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›