E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, batutat me Berishën e Ramën

Italia konfirmon mbështetjen e plotë për Shqipërinë në momentin që ajo do të aplikojë për vendin kandidat për në BE. Por nga ana tjetër, Shqipëria ka shumë për të bërë për të përfituar nga liberalizimi i vizave. Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, është munduar ta anashkalojë këtë çështje, duke e lënë atë në kufijtë e deklaratës së ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, pak kohë më parë në Tiranë. Thelbi i bisedës mes dy kryeministrave ka pasur si kryefjalë energjinë, por edhe investimet italiane në Shqipëri. Kryeministri Berisha ka siguruar investitorët italianë se do të kenë të gjithë lehtësira dhe tek qeveria shqiptare do të gjejnë një mik në përpjekjet e tyre këtu.

"Ne kemi ndërmarrë reforma të thella dhe Shqipëria është vendi me barrën më të ulët fiskale në Evropë, kemi reduktuar burokracinë për hapjen e një biznesi në Shqipëri dhe tani biznesi mund të regjistrohet në gjysmë ore në një sportel të vetëm, kemi hequr 2/3 e licencave dhe lejeve, po krijojmë ‘one stop shop‘ për lejet dhe licencat e mbetura", theksoi Kryeministri Berisha.

Shefi i qeverisë shqiptare theksoi se me Kryeministrin Berluskoni u diskutua për bashkëpunimin në të gjitha fushat, së pari, në atë energjetike. "Në vizionin tim, Shqipëria duhet të shndërrohet në një superfuqi e vogël energjetike në Ballkan. Ne kemi mbi 20 miliardë kilovat/orë energji për të shfrytëzuar, kemi një potencial të jashtëzakonshëm eolik, pra, të energjisë me erë, kemi licencuar prodhimin e më shumë se 1 mijë megavateve të energjisë eolike, por ekzistojnë kapacitete për prodhimin e 4 mijë megavateve të tjerë në këtë sektor", u shpreh ai. Në bindjen e tij, Kryeministri Berisha theksoi se është i vendosur të vazhdojë me prodhimin e energjisë bërthamore dhe tek Italia, ai shikon partnerin e parë për të bashkëpunuar në këtë sektor. "Ne jemi miq të vjetër dhe të tillë do të vazhdojmë të jemi edhe në të ardhmen. Kur them këtë, kam parasysh që Italia do të vazhdojë të jetë avokatja e parë e Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Unë prej vitesh mbështes një politikë e cila kërkon futjen e rajonit të Ballkanit në BE, pasi vetëm në këtë mënyrë mund t‘u jepet fund përplasjeve etnike që ekzistojnë në këtë zonë", u shpreh Kryeministri italian. "Italia është dhe do të jetë partneri i parë që shohim në fushën e energjisë. Ne do të jemi gjithashtu partnerë edhe për sa i përket turizmit, duke vlerësuar kapacitetet që ofron Shqipëria. Ne kemi nevojë ende që kooperacione italiane të veprojnë në Shqipëri dhe kemi nevojë që ajo të riorientojë politikat e saj në ndihmë të biznesit të vogël dhe të mesëm dhe në ndihmë të bujqësisë", u shpreh Kryeministri Berisha.

Energjia

Shqipëria dhe Italia nënshkruan dje katër marrëveshje të rëndësishme me vlerë 2.5 miliardë euro, dy prej të cilave prekin fushën e energjisë. Nevoja urgjente e Kryeministrit Berisha për sigurimin e energjisë i kushtëzuar edhe nga zgjedhjet e 2009-ës. Mes dy vendeve u ra dakord edhe për nënshkrimin së shpejti të tri marrëveshjeve të tjera, me vlerë rreth 3 miliardë euro. Tonet entuziaste të shefit të qeverisë shqiptare në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin italian u konfirmuan në gjuhën e vendit fqinj.

Kryeministri Berisha nënvizoi se ndihma e Italisë për Shqipërinë do të jetë në të gjitha fushat, që nga parqet energjetike me erë dhe deri tek projekti i tij më i ri, ai i mbjelljes së 20 milionë rrënjëve ulliri. Por si gjithnjë, këmbëngulës në ambicien e tij, shefi i qeverisë shqiptare shkoi më tej kur përmendi edhe prodhimin e energjisë bërthamore në Shqipëri. "Shqipëria, në vizionin tim, duhet të bëhet një superfuqi e vogël energjetike e Ballkanit. Jemi të vendosur të vazhdojmë punën me energjinë nukleare dhe Italia është partneri i parë për bashkëpunim", u shpreh Berisha.

Kryeministri, takim në ambasadë. Marrëveshja, zhvishen nga taksat projektet italiane

Berluskoni, investitorëve italianë:

Të ruajmë raportet me Shqipërinë

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka zhvilluar ndër të tjera dhe një takim me investitorët e vendit të tij, që prej kohësh kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Shqipëri. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura brenda ambasadës italiane. Mësohet se temë diskutimi kanë qenë raportet ekonomike të të dyja vendeve. Në thelb, Kryeministri Berluskoni ka përsëritur të njëjtat fakte të thëna në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha. "Është e rëndësishme që raportet me Shqipërinë të jenë pozitive. Duhet t‘i ruajmë ato në të mirë të të dyja palëve", mësohet t‘u këtë thënë Kryeministri investitorëve italianë.

Ndërkaq, zbardhet dhe një pjesë e marrëveshjes ekonomike të firmosur më herët nga dy krerët e shteteve, Shqipëri-Itali. Bëhet fjalë për investimet e kryera nga Koperacioni Italian, ku Shqipëria ka rënë dakord që pajisjet e blera nga shoqëritë italiane në drejtim të investimeve publike të zhvishen nga taksat. Në kuadrin e vizitës së djeshme, Kryeministri Silvio Berluskoni ka asistuar në firmosjen e Marrëveshjes në Kuadër të Bashkëpunimit për Zhvillim, nga ministri i Financave, Ridvan Bode, dhe ambasadori italian në Tiranë, Saba D‘Elia.

Teksti rregullon në mënyrë të detajuar format e Koperacionit për Zhvillim, si dhe mënyrat e identifikimit të programeve dhe të projekteve dhe kushtet e lidhura me personelin e tyre,

institucionet ndërkombëtare, organizatat joqeveritare dhe ndërmarrjet, që veprojnë në këtë sektor me anë të kontributit të Koperacionit Italian për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme italiane. Në mënyre të veçantë, marrëveshja parashikon lehtësira për kryerjen e aktiviteteve të bashkëpunimit për zhvillim, mes të cilave përjashtimi nga tatimet dhe taksat doganore për të gjitha të mirat materiale, përfshi këtu pajisjet, materialet, punimet dhe shërbimet e ardhura ose të financuara nga Koperacioni për Zhvillim. Për sa i përket kushteve që zbatohen për personelin e huaj, Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë zotohet të garantojë dhënien e shpejtë dhe falas të vizës me shumë kalime, si në hyrje ashtu dhe në dalje, si dhe lëvizjen e lirë brenda vendit, dhënien e çdo lloj lejeje apo licence (midis të tjerash lejen e vendqëndrimit, të punës, të kërkimit), përjashtimin nga tatimi mbi fitimin personal dhe nga çdo lloj takse tjetër që ka të bëjë me kompensime të dhëna nga qeveria italiane, të drejtën e importit dhe të re-eksportit, pa taksa doganore dhe pa asnjë lloj takse tjetër, të të mirave materiale dhe pajisjeve profesionale të nevojshme për kryerjen e misionit të tyre.

Palët zotohen të promovojnë, në kuadrin e legjislacioneve të brendshme reciproke, programe dhe projekte të përbashkëta të Bashkëpunimit për Zhvillim, duke bërë uniforme iniciativat e veçanta me drejtimet e treguara në Programin e Vendit për të cilin është rënë dakord me anë të Protokollit të Koperacionit midis Palëve që përfaqëson pikën e referimit për identifikimin, përgatitjen dhe vlerësimin e çdo projekti për zhvillim.

Marrëveshja do të vihet në jetë për të gjitha projektet në zbatim e sipër dhe për projektet në programim, në datën e hyrjes në fuqi, me përjashtim të ndonjë parashikimi tjetër nga marrëveshja e projektit.

Zbulohen prapaskenat e drekës 90 minutëshe të Kryeministrit italian me zyrtarët shqiptarë

Batutat e "Kavalierit" me Berishën dhe Ramën

Berluskoni, komplimente ndaj Topallit dhe foto me kryeprokuroren

Kryeministri Silvio Berluskoni i jep leksione civiliteti politikës shqiptare për të qëndruar brenda logjikës së demokracisë. Miku i shqiptarëve është ndier si në shtëpinë e vet në pritjen e organizuar nga Presidenti Bamir Topi në Pallatin e Brigadave. Dreka e shtruar për nder të Kryeministrit italian është paraprirë nga trokitja e gotave të shampanjës mes tij dhe krerëve më të lartë të shtetit dhe politikës shqiptare. Presidenti Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe kreu i PS-së, Edi Rama, kanë lënë mënjanë çdo mëri politike për të trokitur gotat dhe për të mirëpritur kreun e qeverisë italiane. Gjatë takimit me Kryeministrin italian, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i ka dhuruar shefit të qeverisë italiane, Silvio Berluskoni, kullën e sahatit.

Batutat

Batutat e para, Presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë i ka bërë me ministrin e Financave, Ridvan Bode. Përpara shtrëngimit të duarve, Berluskoni fërkon duart te xhaketa e tij menjëherë pasi Kryeministri Berisha ia prezanton anëtarin e tij të kabinetit si shefin e Financave. Veprimi i Kryeministrit italian përkon me shprehjen me duar të pastra për të cilën ai nuk ka ngurruar të bëjë edhe shakatë e radhës me njeriun që kontrollon drejtpërdrejt financat e vendit tonë. "Kavalieri" i ulur gjatë drekës përballë Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk ka anashkaluar edhe një koment, duke e shoqëruar me një shtrëngim duarsh më pas. "Jeni Kryetarja më e bukur e Parlamentit që kam parë në të gjithë botën", është shprehur Kryeministri Berluskoni, duke marrë bashkë me batutën edhe buzëqeshjen e drejtueses së Kuvendit. Pas përfundimit të drekës miqësore, kryeprokurorja Ina Rama me gjithë problemet e fundit që ka me kabinetin qeveritar duket se ka sfiduar Kryeministrin Berisha duke e shkëputur nga biseda që ky i fundit kishte me homologun e tij, Berluskonin. Prokurorja e Përgjithshme e ka ftuar Kryeministrin italian për të bërë një fotografi me kryetaren e organit të akuzës, ftesë të cilën "Kavalieri" e ka pranuar pa një pa dy. Kreu i qeverisë italiane ka shkëmbyer biseda miqësore dhe mjaft me humor edhe me kreun e opozitës dhe njëkohësisht kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama.

Dreka

Ndryshe nga herët e tjera, zyrtarët e lartë të vendit kanë zbatuar orarin me përpikmëri. Përveç batutave që e kanë bërë me miqësore këtë drekë 90 minutëshe, asgjë tjetër s‘ ka dalë jashtë kontureve të protokollit të shtetit. Kreu i shtetit shqiptar dha dje në Pallatin e Brigadave në 13.30 një drekë zyrtare për nder të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, dhe delegacionit që e shoqëron ku ishin gjithashtu të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, kreu i PS-së, njëkohësisht edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, parlamentarë, anëtarë të kabinetit, drejtues të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. I vetmi që ka munguar në këtë drekë ishte kreu i LSI-së, Ilir Meta, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Madrid. Në drekë ishin të pranishëm, kreu i gjykatës kushtetuese, kreu i gjykatës së lartë dhe i Dhomës së Tregtisë.

Ceremonia

Pak minuta përpara drekës zyrtare e cila kishte edhe formatin e njëjtë me atë të ardhjes në Shqipëri të Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, kreu i shtetit, Bamir Topi, priti në një takim të veçantë Kryeministrin italian. Gjatë takimit, kreu i shtetit, duke vlerësuar se vendi fqinj, Italia, ka qenë përherë partnere kryesore dhe strategjike e Shqipërisë dhe duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, si dhe për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, vuri në pah përpjekjet serioze të vendit tonë për anëtarësimin në familjen euroatlantike dhe atë evropiane.

Propozimi italian: Të burgosurit shqiptarë t‘i vuajnë dënimet në vendin e tyre

Itali-Shqipëri, 6 marrëveshje nga ekonomia tek emigracioni

Italia zbraz burgjet, duke i sjellë të dënuarit shqiptarë për të vuajtur dënimet në burgjet shqiptare. Kryeministri Berisha bëri me dije se kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi brenda kësaj jave. Problematikë për vendin tonë është mbipopullimi i burgjeve shqiptare dhe strategjitë e munguara të Këshillit të Ministrave për t‘i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Lufta e përbashkët kundër kriminalitetit mbetet një detyrë për të dyja qeveritë. "Ne ramë dakord për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ne kemi në këtë fushë. I premtova Kryeministrit se që javën e ardhshme mund të fillojmë procedurat për transferimin në Shqipëri të të burgosurve shqiptarë që aktualisht vuajnë dënimin në burgjet italiane", u shpreh Berisha. "Unë shpreha gatishmërinë e qeverisë sime për të firmosur të gjitha marrëveshjet e nevojshme për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër kriminalitetit të organizuar. Pra, ne ramë dakord për bashkëpunim në të gjitha fushat", theksoi Kryeministri Berisha. Bashkëpunimi me Italinë do të vazhdojë në të gjitha fushat, duke futur në këtë pikë edhe bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe arsimit.

Marrëveshjet

Qeveria shqiptare nënshkroi 6 marrëveshje e akte bashkëpunimi me qeverinë italiane, si dhe me disa kompani të mëdha italiane. Marrëveshjet u nënshkruan në prani të dy kryeministrave Sali Berisha dhe Silvio Berluskoni, pas bisedimeve zyrtare mes dy delegacioneve. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, dhe ambasadori italian, Saba D‘Elia nënshkruan Marrëveshjen dypalëshe në fushën e Punës, si dhe të protokollit zbatues. Ministri i Financave, Ridvan Bode, nënshkroi me ambasadorin italian, Saba D‘Elia, Marrëveshjen Kuadër për Bashkëpunimin për Zhvillim. Ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë, Genc Ruli, dhe drejtori ekzekutiv i grupit "Falcione", Edmondo Falcione, firmosën lejen e ndërtimit për realizimin e një rigazifikatori në zonën e Fierit. Gjithashtu, ministri i Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë, Genc Ruli, dhe presidenti i grupit "Moncada Costruzioni", Salvatore Moncada, nënshkruan deklaratën e përbashkët për realizimin e një impianti eolik në jug dhe juglindje të Vlorës dhe e linjës së ndërlidhjes me rrymë të vazhdueshme ndërmjet rrjetit të transmetimit italian dhe atij shqiptar. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe drejtori ekzekutiv i "Colacem", Dr. Colaiacovo, firmosën deklaratën e përbashkët për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, dhe presidenti i "Todini Costruzioni Generali", zonja Todini firmosën deklaratën e përbashkët për ndërtimin e segmentit rrugor Levan-Dames. Kryeministri Berluskoni i cilësoi raportet mes Shqipërisë dhe Italisë shumë miqësore. "Kjo ngushtësi marrëdhëniesh midis dy vendeve dëshmohet edhe nga prania në Itali e më shumë se gjysmë milioni shqiptarësh që jetojnë aty. Janë rreth 85 mijë nxënës shqiptarë të regjistruar në shkollat italiane dhe krahas tyre, janë edhe rreth 18 mijë studentë shqiptarë që frekuentojnë universitetet italiane. Këto marrëdhënie lehtësohen shumë edhe nga njohja e gjuhës italiane këtu në Shqipëri", u shpreh Berluskoni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›