E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, vizitë dyditore në Londër

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, është nisur dje për një vizitë zyrtare dyditore në Londër. Ajo do të marrë pjesë, si e ftuar e veçantë, në një prej ceremonive më madhështore të jetës parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, në seancën e jashtëzakonshme të fjalimit të mbretëreshës Elisabeta e Dytë. Ky ritual në parlamentarizmin britanik daton që në shekullin e 16. Më pas, Kryetarja e Kuvendit do të ndjekë debatin mbi fjalimin e mbretëreshës të zhvilluar në Parlamentin britanik, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Dhomës së Komunëve dhe Dhomës së Lordëve.

Ajo do të pritet në një takim të veçantë nga kryetari i Dhomës së Komunëve, Michael Martin, nga nënkryetarja Silvia Hill, si dhe do të zhvillojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Politikave të Jashtme, me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të Grupit parlamentar të Miqësisë, Mbretëri e Bashkuar-Shqipëri. Gjatë vizitës së saj të parë në Londër, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, është gjithashtu e ftuar speciale nga Universiteti i mirënjohur LSE për të referuar mbi ecurinë e procesit të reformave të Shqipërisë drejt NATO-s dhe BE-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›