E Diel, 1 Nëntor 2026

Tifozët, Van Galit: “Vetëm me Shqipërinë mund të fitoje pa plan"



“Para 20 vjetësh mund të fitoje 2-1 kundër Shqipërisë edhe pa pasur një plan loje, por tani kjo nuk ndodh më. Mund të kesh një dëshirë të çmendur për të fituar, por pa përqendrim, disiplinë e një plan të qartë ndeshjeje, kjo nuk arrihet”. Ky është reagimi i një tifozi të Bajernit të Munihut në uebsajtin gjerman 11freunde.de, i cili shpreh pakënaqësinë e tij ndaj rezultateve të dobëta të skuadrës bavareze nën drejtimin e trajnerit holandez Luis van Gal në tri javët e para të Bundesligës. Në fakt, rezultatet e Bajernit (2 barazime dhe një humbje) përbëjnë startin më të keq sezonal në 43 vitet e fundit dhe me korin e kritikuesve më të ashpër janë bashkuar edhe ish-lojtarët e famshëm të bavarezëve, Lotar Mateus dhe titani i portës, Oliver Kahn. “Jam vërtet i shqetësuar, pasi jam tifoz i Bajernit, e kam për zemër këtë klub”, - tha Mateus për “Ekspres”. “Bajerni ka pasur gjithmonë një filozofi të qartë. Nuk e bëjnë emrat të fortë, por ekipi duhet të jetë i fortë”, - tha Kahn. “Tigri” Efenberg e kishte thënë qartasi më parë, se për të Bajerni nuk ishte favorit për titull, pasi cilësia e skuadrës nuk e premton këtë. “Komplet në repartin e mbrojtjes drejtuesit e Bajernit, në një apo dy vitet e fundit kanë fjetur”, - tha Efenberg për “Bild”. Në mediat gjermane thuhet se Luis van Gal, duket se sqarojë se ka “mallkimin apo bekimin” me vete.

Bogu në rrezik, Kievo kërkon sulmues

Erjon Bogdani duhet të përballet me një rrezik të ri në vijën e parë të Kievos. Sulmuesi e njëherësh kapiteni i Kievos, Serxhio Pelizieri, deklaroi se skuadra e tij ka nevojë për një sulmues të madh, të aftë të shënojë gola. Bogdani e nisi sezonin 2009-2010 si titullar në sfidën e humbur 1-0 kundër Juventusit në Torino, por loja e sulmuesit shqiptar u kritikua. “Nuk u pa fare në fushë”- shkruanin faqet sportive apenine. Bogdani u zëvendësua në minutën e 71-të, duke mos lënë asnjë gjurmë kundër bardhezinjve. Gjatë sezonit të kaluar, Bogdani luajti shumë pak ndeshje, duke shënuar vetëm një gol kundër Lacios.

Milani shënjestron Berhamin

Valon Behrami në shenjestrën e Milanit. Lajmi u dha nga gazeta sportive franceze “L’Equipe”. Mesfushori 24-vjeçar kosovar me pasaportë zvicerane, në forcë me Uest Hemin në kampionatin anglez, ndodhet për momentin në fazën e rikuperimit, por eksperienca e tij me Lacion në Itali dhe grinta që shfaq gjatë lojës, ka rënë në sy të drejtuesve kuqezi, që janë duke ndjekur nga ana tjetër edhe 26-vjeçarin Zhyljen Fober. Milani më parë ka shfaqur interesim edhe për mesfushorin shqiptaro-maqedonas, Blerim Xhemailin, por nga ajo që raporton media italiane, interesimi për lojtarin e Torinos është zbehur.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›