E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni bëri detyrën

Italia është një nga fuqitë më të mëdha ndërkombëtare. Është partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë, padyshim kontribuesi kryesor me grante në ndihmë të Shqipërisë, të cilat shkojnë që nga buka, vaji e sapuni, në fillim të viteve ‘90, nga integrimi i një pjese domethënëse të emigracionit shqiptar, e deri në investime direkte në ndërtim infrastrukture, energji, e më tej. Kur them më tej, kam parasysh dhe një komponent të vazhdueshëm ndihme dhe asistence politike, gjeopolitike e strategjike. Anëtare eBE-së dhe NATO-s, dy dyert e mëdha të shtëpisë së demokracisë Euroatlantike ku po trokasim edhe ne, Italia, megjithatë ka një problem të ngjashëm me Shqipërinë: Nevojën e jashtëzakonshme për furnizim me energji elektrike. Një referendum emocional, siç është konsideruar tashmë, referendumi për centralet bërthamore i viteve ‘80, e nxori Italinë nga klubi i vendeve që prodhojnë këtë lloj energjie.

Me një pengesë të tillë nga shprehja e demokracisë direkte, por dhe me një ndryshim të jashtëzakonshëm nga klubi ynë ballkanik, edhe mediokër, edhe cinik e egoist prej fshati periferik - italianët për Italinë dhe jo Shqipëria pronë qeveritare - qeveria e vendit fqinje, po bën të pamundurën për të tejkaluar këtë situatë. Një situatë që, e ngjashme në formë dhe përmbajtje, por jo në emergjencë, ekziston të paktën që prej vitit 1992 edhe në Shqipëri.

Të dy vendet tona janë në një kërkim të dëshpëruar të burimeve të reja energjetike. Të dy vendet tona kërkojnë një zgjidhje, të paktën afatmesme të kësaj historie, që është në të gjitha rastet, tharmi i të gjitha krizave të djeshme apo parathënie e atyre të nesërmeve. Ndryshimi qëndron në mënyrën e realizimit të këtij synimi dhe maksimalizimin e tyre në favor të shoqërisë së njërit apo tjetrit vend.

Po e marr me radhë një argument të tillë: Kryeministri italian, Berluskoni, erdhi për herë të dytë në Tiranë dhe mësoi se Kryetarja e Kuvendit nuk është beqare. Mësoi që Kryeministri Berisha ka dashuri shumë të madhe për përjetësinë e ullirit si bimë dhe të pushtetit si mjet jetese, mësoi edhe se Shqipëria ka bërë hapa domethënës drejt demokracisë dhe instalimit të shtetit të së drejtës. Besoj se mund edhe t´ia kenë justifikuar mungesën në takime protokollare e drekën protokollare të ministrit të Jashtëm, zyrtarisht nën akuzë për grabitje të fondeve publike, me të njëjtin argument që Basha vetë i është fshehur Prokurorisë: “Jam jashtë për punë punë”!

Mungesat, zakonisht, vihen re në vaki e funerale. Në dreka e festë, ato zakonisht janë të justifikuara.

Kryeministri italian firmosi dhe një depërtim të jashtëzakonshëm të fondeve italiane këtej Adriatikut, private dhe publike, në masën deri në 2.3 miliardë euro.

Një shi i tërë parash që do të përdoren në 6 projekte të lidhur me energjinë. Brenda pak vjetësh, Shqipëria, së paku do të prodhojë përmes TEC-eve dhe centraleve të energjisë së erës, pothuaj dyfishin e energjisë që prodhon sot. Do të rrisë, si një pasojë indirekte të saj, emetimin e gazit karbonik dhe gazrave të tjerë të dëmshëm për shëndetin e njeriut, në një masë që është e vështirë të llogaritet sot.

Duke hedhur një hap të tillë, eurot italiane shmangin disa rrethana të sikletshme për politikën e saj lokale: Ato nuk kapërcejnë kufirin e çlirimit të këtyre gazrave të parashikuar nga Protokolli i Kiotos, nuk dëmtojnë ekosistemet në Itali dhe lënë pas, sipas parimit të zhvillimit të qëndrueshëm, atë pjesë që e kanë marrë me “qira” nga fëmijët e së ardhmes, nuk dëmtojnë të ardhmen e turizmit dhe, gjithashtu, nuk u hyjnë telasheve me qeveritë lokale të zonave të mundshme, ku mund të ndërtoheshin këto vepra në Itali.

Thjesht, jepen paratë dhe prodhohet energjia e nevojshme, aq e dëshiruar në Itali. Pra, Kryeministri italian, me vizitën e tij në Tiranë, kreu thjesht, drejt dhe direkt, detyrën, për të cilën është votuar.

Në këtë qerthull, është dhe ideja e ndërtimit të mundshëm të një centrali bërthamor në Shqipëri, një nga ëndrrat e shumta të Kryeministrit tonë provincial, për ta shndërruar vendin në një superfuqi bërthamore. Me një central që mund të ngrihet diku në zonën e Kavajës, Shijakut apo ndoshta dhe diku gjetkë, me para italiane apo të tjera, por me risk po këtu brenda. Por, kjo nuk ka shumë rëndësi; e rëndësishme është të ëndërrojmë. Shpesh budallallëku ka sharmin e parezistueshëm të vetë ëndrrës.

Në biznes është ndryshe nga politika; nuk është mirë të bësh hesapet e të tjerëve, ndaj po i lëmë pas hesapet se çfarë fiton Italia dhe kthehemi në këtë copë tokë të trashëguar nga prindërit tanë.

Partnerët shqiptarë, në këtë rast, qeveria e Sali Berishës, më së paku ka disa detyrime kushtetuese, politike dhe morale për të dhënë:

Së pari, këto investime direkte italiane në fushën e energjisë, sa ndikojnë në zgjidhjen e problemit tonë të mungesës së energjisë në vend?

Çfarë pjese do të zërë energjia e prodhuar në Shqipëri për të shkuar në dobi të konsumatorit shqiptar?

Me çfarë kushtesh është afruar kjo kontratë prodhimi energjie?

Kush do të paguajë, e kam fjalën në vlerë monetare, përveç shëndetit të shqiptarëve, për emetimin e gazrave të dëmshëm? Cili do të ishte impakti në mjedis i këtyre veprave dhe sa do të ndikojnë ato në rrafshin e zhvillimit strategjik të turizmit në Shqipëri?

E thënë me fjalë të tjera, veç hapjes së disa dhjetëra apo qindra vendeve të punës, cilat do të jenë përfitimet e shtetit shqiptar, që në këtë rast paguan, të paktën në vështrim të parë, të gjitha kusuret e kësaj historie?

Këto pyetje dhe një numër tjetër i pafundmë që mund t´i shoqërojnë ato, duan përgjigje, së pari nga Kryeministri. Përpara se të valëvisë dafinat e suksesit politik, duhet të shpjegojë impaktin e vërtetë ekonomik të këtyre veprave.

Deri më tani, kjo transparencë ka munguar. Do të ishim gati të duartrokisnim, gjithashtu si sukses, depërtimin e 2.3 miliardë eurove investime direkte në vend. Por, më parë, presim përgjigje për këto pyetje. Ndryshe, kam frikë se ky vend po qeveriset në formën e çifligut të trashëguar jo nga prindi, por si plaçkë e luftës, nga i cili, qytetari, do të largojë e shkurtojë duart e trazovaçëve politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›