Burri vret gruan pas skenave të xhelozisë
EKZEKUTIMI/ Një 57-vjeçar qëlloi disa herë me pushkë bashkëshorten pas grindjeve të vazhdueshme mes tyre
Trëndafile Ristani, 51 vjeçe, ndërroi jetë rrugës për në spital për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë
KRUJË – Grindjet e vazhdueshme të një çifti në qytetin e Krujës kanë përfunduar me vdekjen e gruas nga dora e të shoqit. Trëndafile Ristani, 51 vjeçe, ka ndërruar jetë rrugës për në spital pas plagëve të marra nga zbrazja e një arme në trupin e saj nga bashkëshorti. Ngjarja ndodhi dje në lagjen nr.4 të qytetit, ndërsa policia vuri në pranga Muharrem Ristanin, ndaj të cilit është ngritur akuza e “vrasjes me dashje”. Shkak për ngjarjen e ndodhur janë cilësuar grindjet për shkak të xhelozisë nga ana e bashkëshortit 57-vjeçar.
***
Ngjarja ndodhirreth orës 15:00, kohë kur banorët e lagjes nr.4 të qytetit të Krujës u shqetësuan nga disa krisma të dëgjuara në drejtim të shtëpisë ku jetonte çifti Ristani me tre fëmijë të rritur. Pas dëgjimit të krismave komshinjtë të frikësuar që të ndërhyjnë për të pyetur, kanë njoftuar në polici për dyshimin që kanë pasur. Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në shtëpinë ku kishte ndodhur shkrehja e armës së zjarrit dhe fillimisht kanë marrë autorin e ngjarjes në furgonin e skuadrës së shpejtë të policisë dhe më pas kanë hyrë në banesë, ku janë përballur me pamjen makabre ku gruaja dergjej në një pellg gjaku pas goditjeve me plumba që kishte marrë nga i shoqi. Ajo është marrë menjëherë për t’u nisur drejt spitalit, por plagët e shumta kanë bërë që ajo të mos rezistojë, duke ndërruar jetë rrugës për në urgjencë.
***
Vrasja ka tronditur opinionin e qytetit të Krujës dhe aq më shumë banorët e lagjes nr.4 të këtij qyteti, të cilët pas ngjarjes u shprehën se Trëndafilja ishte një grua e respektuar nga të gjithë. Policia ndërkohë dërgoi në morg kufomën e nënës së tre fëmijëve dhe informoi se vrasja kishte ndodhur për motive të dobëta. Ndërkohë u sekuestrua arma me të cilën u krye vrasja e 51-vjeçares. Mësohet se Muharrem Ristani e mbante pa leje pushkën 10-fishekëshe, gjysmë automatike të tipit “Simonov”, që nga viti 1997 kur qenë hapur depot e armëve masivisht. Prokuroria ndërkohë ka hapur një proces penal ndaj 57-vjeçarit të arrestuar, ndaj të cilit është ngritur akuza e “vrasjes me dashje”. Dy ditë më parë një burrë tentoi të vriste bashkëshorten e tij po për motive xhelozie në një fshat të Elbasanit.
Somario: Uniformat blu kanë mbërritur menjëherë në shtëpi dhe fillimisht kanë marrë autorin e ngjarjes në furgonin e skuadrës së shpejtë të policisë dhe më pas kanë hyrë në banesë, ku janë përballur me pamjen makabre, ku gruaja dergjej në një pellg gjaku pas goditjeve me plumba që kishte marrë nga i shoqi.