E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfshihet nga flakët në shtyllë elektricisti

 

Mevlud Bilbilaj po punonte në një shtyllë tensioni për të rregulluar një defekt të ndodhur, kur mori flakë

Ngjarja e ndodhur u konfirmua nga dy elektricistë të tjerë të cilët ndodheshin në vendngjarje dhe panë gjithë skenën

KORÇË- Një elektricist digjet gjatë një defekti, ndërsa përfundon në koma. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Maliqit, kur tre elektricistë të OSSH-së në Korçë po ndërhynin për eleminimin e një defekti në linjë. Madje, i plagosuri në gjendje të rëndë ka qenë në shtyllë duke punuar kur u përfshi nga flakë që i kanë rrezikuar seriozisht jetën. Por, megjithëse kaluan shumë orë që nga ndodhia, policia ende nuk ka ditur t’i japë një shkak përfshirjes nga flakët të elektricistit që ndodhej në shtyllë. Deri në orët e vona të mbrëmjes së të premtes, i vetmi informacion ishte gjendja e rëndë e Bilbilajt.

***

Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 8:30 të mëngjesit të së premtes. Mevlud Bilbilaj ka shkuar si çdo ditë në punë, ndërsa i është kërkuar nga drejtuesit e ndërmarrjes të shkojë në riparimin e një defekti. Së bashku me dy kolegë të tjerë, elektricisti është ngjitur në një nga shtyllat e rrjetit elektrik duke nisur riparimin e defektit nga i cili kishte mbetur pa energji edhe një pjesë e qytezës së vogël. Ndërsa po punonin, Bilbilaj është përfshirë nga flakët në shtyllë dhe ka nisur të kërkojë ndihmë. Për fat të mirë, dy kolegët e tij kanë ndërhyrë në kohë dhe janë përpjekur të shuajnë zjarrin, i cili mund të përfshinte nga momenti në moment dhe rrjetin elektrik, për më tepër me shtylla druri të amortizuara. Për fat gjithçka është zgjidhur menjëherë, ndërsa i plagosuri, i cili ka pësuar dhe djegie të mëdha në trup ka marrë trajtimin e parë mjekësor në spitalin e Korçës. Duke nisur nga gjendja e tij e rënduar shëndetësore dhe djegia e një shkalle të lartë e trupit të elektricistit që ka rënë në koma, mjekët kanë vendosur ta nisin me urgjencë drejt kryeqytetit. Mevlud Bilbilaj është transportuar për në kryeqytet me helikopter, ndërsa kanë nisur dhe hetimet për shkaqet e këtij aksidenti në punë.

***

Policia është duke hetuar shkaqet e aksidentit. Deri në orët e vona të mbrëmjes ende nuk diheshin shkaqet që çuan në përfshirjen në flakë të elektricistit. Dy pistat e ngritura nga policia janë: mungesa e rregullave teknike në punë, si dhe pakujdesia që mund të jetë treguar nga vetë i dëmtuari. Ndërkaq, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore është kërkuar informacion më i detajuar nga specialistët të fushës për të përcaktuar shkaqet e këtij aksidenti. Hetimet vazhdojnë, ndërsa nga policia ngjarja e ndodhur është përcaktuar si rasti i pare (dhe i çuditshëm) kur një elektricist përfshihet në mënyrë të papritur nga flakët në një shtyllë elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›