Flakët shkrumbojnë magazinën e mobilieve
Zjarri
Rreth orës 3:00 të mëngjesit të djeshëm, roja i firmës “Ardeno” ka konstatuar flakët e zjarrit në ndërtesën e madhe trekatëshe të magazinës së mobilieve. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë dhe njëkohësisht edhe zjarrfikëset. Por flakët e zjarrit rrezikonin edhe banesat që ndodheshin pranë fabrikës. Në këto kushte roja ka nisur të qëllojë me armë në ajër me qëllim që banorët e shtëpive përreth të dalin. Vetë banorët kanë pohuar dje se krismat e armës i kanë ngritur nga gjumi e më pas kur kanë parë flakët kanë dalë me shpejtësi nga banesat. Ndërkohë, në vendin e ngjarjes mbërritën makinat e zjarrfikëseve, të cilat nisën punën për të neutralizuar flakët e zjarrit. Për t’i ardhur në ndihmë zjarrfikëseve të Tiranës, të cilat ishin të pakta, në vendin e ngjarjes mbërritën edhe makina zjarrfikëse nga Durrësi, Lezha e Fushë-Kruja. Rreth 20 makina zjarrfikëse nisën betejën me flakët e zjarrit që po kërcënonin seriozisht disa cisterna me gaz që ndodheshin vetëm pak metra larg magazinave të firmës “Ardeno”.
Zjarrfikësit
Për disa orë me radhë, puna e zjarrfikësve ishte përqendruar në shmangien e flakëve të zjarrit drejt cisternave të gazit shpërthimi i të cilave përbënte rrezik katastrofik. Kështu pasi neutralizuan flakët në anën e majte të magazinës ku ndodheshin edhe cisternat me gaz, punonjësit e zjarrfikëses ndërhynë për të shuar plotësisht flakët e zjarrit në magazina. Rreth orës 12:00 të mesditës u bë e mundur shuarja e flakëve të zjarrit të cilat kishin shkrumbuar tërësisht ndërtesën trekatëshe, ku firma “Ardeno” prodhonte e shiste mobiliet prej druri. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes nuk munguan edhe forcat e shumta të policisë të cilat rrethuan të gjithë zonën, ndërsa një grup ekspertësh nisën hetimet për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit. Mësohet se paraditen djeshme u ndërpre energjia elektrike në gjithë zonën. Për disa orë u ndërprenë edhe fluturimet në aeroportin e Rinasit për shkak të reve të mëdha të krijuara nga tymi që lëshonin flakët e zjarrit të cilat arrinin në 20 metra lartësi.
DËSHMIA
Një prej banorëve të zonës tregon tmerrin e natës së mbrëmshme teksa zjarri i rrezikonte shtëpitë
“Të shtënat e rojës na zgjuan nga gjumi”
TIRANË- “U zgjuam nga të shtënat e armëve. Menjëherë dolëm jashtë e pamë flakët e zjarrit në magazinat e prodhimit të mobilieve” tregoi për “Shekullin” Iliri, një banor i zonës ku ndodhej magazina. Iliri ishte një nga shumë personat që lanë shtëpinë për disa orë rresht për ti shpëtuar ndonjë rreziku të mundshëm që u kanosej nga flakët e mëdha të zjarrit. Sipas tij, flakët e zjarrit kishin zaptuar të gjithë magazinën dhe me gjithë ndërhyrjen e shumë makinavezjarrfikëse, ishte pothuajse e pamundur shuarja e menjëhershme e tyre. “Më vonë mësuam se roja i magazinave, pasi kishte parë flakët e zjarrit, lajmëroi policinë e dhe zjarrfikëset, të cilët sa u furnizuan mbërritën disa minuta më pas. Ndërsa për të dhënë alarmin në zonë ai qëlloi me armë. Banorët dolën nga shtëpitë pasi dëgjuan të shtënat e mësuan për flakët e zjarrit”,- shton më tej Iliri. Sipas tij, flakët e zjarrit kanë qenë të frikshme dhe rrezikonin gjithçka që ndodhej përreth por ndërhyrja e punonjësve të zjarrfikëseve bëri që ato të mos përhapeshin pranë godinave përreth kryesisht pranë cisternave të gazit.
Policia: Tri pistat e rënies së zjarrit
TIRANË- Fillimisht zjarrfikësit e forcat e shumta të policisë ishin të angazhuara për shuarjen e flakëve të zjarrit me qëllim shmangien e tragjedive që mund të sillte përhapja e tij. Pasi u bë e mundur shuarja e flakëve, një grup ekspertësh i formuar për këtë ngjarje nisën hetimet me qëllim zbardhen e shkaqeve të rënies së zjarrit. Burime nga policia thanë se ngjarja po hetohet në tre pista. Vënia e qëllimshme e zjarrit nuk përjashtohet nga policia, ndërsa paralelisht me të po hetohet edhe ajo e rënies së zjarrit nga ndonjë shkëndijë elektrike e cila mbetet dhe një nga pistat kryesore. Ndërsa një pistë të tretë policia ka treguar se është diçka tjetër që mund të ketë shkaktuar flakët e zjarrit. Deri në orët e vona, policia e Tiranës zyrtarisht nuk ka deklaruar asnjë motiv paraprak që mund të ketë shkaktuar rënien e zjarrit që shkatërroi një nga magazinat më të mëdha të vendit që merrej me prodhimin e mobilieve të drurit, duke shtuar se gjithçka ndodhet nën hetim.
Zjarri shkaktoi dhjetëra milionë lekë dëm
TIRANË- Zjarrfikësit zhvilluan një betejë rreth 9 orë me flakët e zjarrit dhe synimi ishte shmangia e flakëve të zjarrit nga cisternat e gazit të cilat në rast shpërthimi rrezikonin jetët e banorëve të një zone me perimetër të madh. Puna e tyre arriti të shuajë flakët e zjarrit duke mos i lënë t’i afrohen cisternave të gazit apo edhe godinave të tjera përreth, ndërsa magazina e prodhimit të mobilieve nuk u shpëtua dot. Flakët e zjarrit e kishin zaptuar atë në të tria katet, ku prodhoheshin dhe shiteshin mobiliet. Një gjë e tillë bëri që të shkrumboheshin jo vetëm mobilie të shumta por edhe makineri të prodhimit të ri të cilat kapin vlerën e miliona lekëve. Burime nga policia thanë se dëmi i shkaktuar nga flakët e zjarrit kap shifrën e dhjetëra miliona lekëve, bilanci i së cilës ende nuk është përcaktuar saktësisht. Mësohet se një pjesë e magazinave ka qenë e pajisur me masa kundër zjarrit por mungesa e personave në momentin që ra zjarri ka bërë që ato të mos vihen në funksion. I vetmi roja nuk ka mundur të përdorë masat kundër zjarrit, pasi flakët kishin avancuar duke mos lejuar afrimin në magazina.
Precedenti
Zjarri shkrumboi magazinat e hidrosanitareve
Të hënën e kësaj jave, flakët e zjarrit shkrumbuan magazinat e pajisjeve hidrosanitare të firmës “Henry sh.p.k” që ndodheshin në kilometrin e 10 në autostradën Tiranë-Durrës. Flakët e zjarrit ranë në mesditën e së hënës dhe shuarja e tyre u bë e mundur pas rreth 8 orësh. Rreth 12 makina zjarrfikësesh u angazhuan për shuarjen e flakëve të zjarrit të cilat shkrumbuan plotësisht magazinat e pajisjeve hidrosanitare, ndërsa ndërtesën e xhamtë gjashtëkatëshe të kësaj firme, zjarrfikësit mundën ta shpëtonin. Flakët e zjarrit nuk arritën të përhapeshin pranë kësaj ndërtese duke shkrumbuar vetëm magazinat dëmi të i të cilave kapte vlerën e miliona lekëve. Ndërkohë që policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e rënies së zjarrit, por veçse burimeve policore të cilat tregojnë se një shkëndijë elektrike mund të ketë qenë shkaku i zjarrit, policia zyrtare nuk ka dhënë ende një deklaratë për shkakun duke shtuar se gjithçka po hetohet.