Politikë apo poli-thikë?
Pas ndjesisë së parë emocionale që krijoi mosdekretimi i Kodit të ri Zgjedhor nga Presidenti, në pak orë u kuptua se veprimi bazohej në një matematikë të thjeshtë. Presidenti (dhe stafi i tij i kujdesshëm), thjesht i kujtuan shumicës së deputetëve, se për lindjen e datës së zgjedhjeve të reja, kërkohen 9 muaj, sipas Kushtetutës. Normalisht, deputetët duhet ta dinin këtë, por ndoshta ata nxitojnë me sytë mbyllur, apo e kanë mendjen tek reflekset e nismave ‘O Mete për vete’. Brenda logjikës gjakftohtë, ata nuk arritën të mbledhin muajt, veprim që për çdo 6-vjeçar, është tamam ‘lojë fëmijësh’.
Mirëpo, kryeneçëve të mërzitshëm të politikës kjo lëvizje e Presidentit u tingëlloi fyese. “Kjo që bëri Topi është thikë me dy presa”,- nxituam të themi, duke pasur parasysh një tjetër gërvishtje të marrëdhënieve të tij me Kryetarin e mazhorancës, por edhe mbrojtjen e pozicionit të tij kushtetues. E, kjo puna e thikave me dy presa, na del prezente kaq shpesh në ajrin e rëndë politik. Thikë me dy presa, Kryeprokurorja për çështjen ‘Basha’, thikë me dy presa parqet energjetike, me dy presa lëvizjet brenda së majtës, me dy presa fragmentizimi i së djathtës, raportet me FMN-në, marrëveshjet për Kodin Zgjedhor.
Befas, thika na shfaqet si objekt i shpikur pikërisht për politikën e këtij vendi. Madje, dy tehet e saj që bashkohen në majë, për disa i përgjigjen apostafat dyzimit politik, i cili sa më shumë iu largoka bazës, aq më tepër iu afroka njëjtësimit. Duket se gjithçka shihet me tendencë konfliktuale. Ama është e qartë se kjo “gjithçka”, vjen thjesht për pasojë të mungesës së fantazisë politike. Politika e ditës është kaq e varfër në ide. Këtu nuk e kam fjalën për ata eksponentë që shënojnë si kontribut politik, vetëm tundjen pohuese të kokës pas çdo fjalë të “të madhit të partisë”, por për ata që pretendojnë të qëndrojnë gjatë në politikë, e ta shohin këtë të fundit, si mënyrë për të prodhuar vlera.
Nuk është politikë të merresh me hedhje-pritje batutash, të bësh kollotumba deklaratash, nuk është politikë të presësh gabimin e tjetrit, për të vënë në zbatim presat e thikës. Politikë është të tërheqësh elektorat, të biesh në sy, të lësh një shenjë.
Si nuk u përpoq, p.sh., askush të nxjerrë nga demoralizimi pronarët, të gjejë zgjidhjen përfundimtare për ta? Asnjë platformë, asnjë projekt. Po për ish-të përndjekurit, që protestojnë prej 20 vjetësh për dëmshpërblimin? Po për krizën energjetike, krizën në shëndetësi, arsim, punësim? Nuk pamë njëherë një shenjë të edukatës politike! Nuk dëgjuam një rast që, për çështje të mëdha si varfëria, energjetika, pronat, të ketë vendime të përbashkëta të spektrit politik. Këto janë disa ndërhyrje që kërkojnë zgjuarsi politike, kështu përfitohet elektorat. E këtu nuk ekziston rreziku i dy presave të thikës. Deri tani, kemi mbetur në nivelin e poli-thikës.
*Autori është drejtor informacioni në “A1 Televizion”