Çpo ndodh me Bashën
Ministri Lulzim Basha, ka refuzuar të shkojë në Prokurorinë Shqiptare, për t’u njohur me akuzën për shpërdorim detyre, të ngritur në adresë të tij. Çështja është pasuruar me një element thelbësor procedurial, pasi ministri nuk është më thjesht “nën hetim”, por zyrtarisht “i pandehur”. Që do të thotë se, hetimet e Prokurorisë kanë çuar në prova, mbi bazën e të cilave është ngritur akuza. Nëse akuza zyrtare e Prokurorisë vërtetohet edhe në Gjykatë, atëherë Lulzim Basha, duhet të përfundojë në burg, për shpërdorim të detyrës, gjatë procedurave të ndjekura për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, në kohën kur ka qenë ministër i Transporteve.
Lidhur me këtë çështje po zhvillohen dy debate: Njëri tekniko-juridik dhe tjetri politik. Në planin juridik, para disa ditësh, Gjykata ka urdhëruar Prokurorinë t’i quajë të përfunduara hetimet për dy ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Transporteve, mes të cilëve nuk përfshihet ministri Basha. Kemi të bëjmë me afate kohore që, sipas Gjykatës së Shkallës së Parë, kanë qenë të mjaftueshme për hetim.
Prokuroria e ka apeluar këtë vendim, në Gjykatën e nivelit të dytë, duke kërkuar kohë për të bërë edhe disa hetime. Por kjo nuk e pengon Prokurorinë, në rastin më të keq për të, të ngrejë akuza mbi bazën e hetimeve të kryera deri tani dhe ta kalojë dosjen në Gjykatë. Mbrojtja e ministrit Basha e ka konsideruar thirrjen në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, për ndalim hetimesh, ndërsa Prokuroria e ka quajtur atë procedurë ligjore, për komunikim akuze, që s’ka të bëjë me hetime të mëtejshme. Në krah të mbrojtjes ka vendosur gjyqtarja e shortuar, Fatmira Hajdari, e cila e ka shpallur veten kompetente për të gjykuar çështjen, dukemos e konsideruar ministrin “të pandehur”, ndërsa prokurori ka kërkuar përjashtimin e saj nga kjo çështje, pasi për gjyqtaren në fjalë “ekzistojnë shkaqe të rëndësishme njëanshmërie”, (Neni 17 iKodit të Procedurës Penale). Në momentin që ministri do të konsiderohet i pandehur, çështja i kalon për gjykim direkt Gjykatës së Lartë. Ipandehur apo jo, këtu ka mbetur procesi. Një gjë është e qartë: Është fare pa vend në këtë situatë që, Lulzim Basha, të bëjë kapadaiun e deklaratave. Prokuroria nuk e ka të vështirë të hetojë në pista të tjera, të reja, e ta marrë “trimin” si të pandehur. Problemi është se kjo çështje po kthehet në një gur prove për nivelin e pavarësisë së organeve të drejtësisë, sidomos Gjykatës, e cila do të jetë kompetente për të zgjidhur mospajtimin procedurial.
Në planin politik, debati është i vjetër. Ministri Lulzim Basha, edhe në deklarimet e fundit, ka përsëritur atë që ka thënë edhe më parë; se akuzat ndaj tij janë hartuar në zyrën e këtij apo atij kundërshtari politik. Ai ka përdorur një terminologji ultra patriotike, deri humoristike, të ngjashme me atë të kohës së komunizmit, duke e paraqitur veprën si një përgjigje ndaj interesave izolacioniste të shteteve fqinje, ndërsa kundërshtarët politikë si Dushan Mugoshët e kohëve moderne. Po të ecim me këto broçkulla, i bie që para se ta gjykojmë për vjedhje, t’i bëjmë Bashës një tjetër gjyq: Atë të të qenit mik dhe bashkëpunëtor i filoserbit Damir Fazlliç, mik edhe i Kryeministrit Sali Berisha, siç ky i fundit ka deklaruar publikisht vetë. Dhe bëhet fjalë për një Fazlliç, që sipas të gjitha të dhënave, ka pika takimi me rrethin mafioz të Arkanit, e që brenda 2 viteve të qeverisjes së segmentit Berisha-Basha, ka krijuar një pasuri, prej të paktën 50 milionë euro në Shqipëri. Nëse do të kishte vend për akuza politike, pikërisht këtu duhej të ndaleshim. Por çështja e rrugës duhet ndarë nga kjo. Tjetër janë kulisat e qena apo të paqena politike, e tjetër hajdutëria në paratë e rrugës. Janë dy diskutime të ndryshme, kush i bën bashkë, kërkon të na hedh hi syve.
Në mbrojtje të Lulit ka dalë edhe njëherë Kryeministri Berisha, duke deklaruar se ministri gëzon mbështetje të plotë dhe se të gjitha vendimet për rrugën Durrës-Kukës janë marrë në mënyrë kolegjiale në qeveri. Ndërsa një prej mediave të kontrolluara prej tij, në mënyrën më banale, si asnjëherë tjetër, ka paralajmëruar axhendën javore të ministrit të Jashtëm në Europë, (një axhendë krejt e rëndomtë), duke lënë të kuptojë se ai “nuk ka ndërmend të shkojë në Prokurori”. (Në praktikën e mediave kombëtare, nuk ka ndodhur të jepet ndonjëherë axhenda rutinë e një ministri).
Basha, në fakt, është i vetmi ministër i Jashtëm në botë, i shpallur zyrtarisht si i pandehur nga Prokuroria e vendit të tij. Askush nuk po e akuzon Lulzim Bashën se ka punuar keq si ministër i Jashtëm, edhe pse kjo gjë ka ndodhur, askush nuk po i kërkon dorëheqjen për gafa në ushtrimin e funksionit të tij si ministër i Jashtëm, edhe pse dhe kjo ka ndodhur (plani i Ban Ki Moon-it, rasti Fazlliç, varrezat e grekëve etj.).
Nuk është hera e parë që politika shërben si strehë për politikanët e korruptuar. Në të shumtën e rasteve ata ia kanë dalë t’i shpëtojnë drejtësisë, edhe kur është dashur të ndëshkohen. Situata në rastin konkret është e qartë dhe e thjeshtë: Pas hetimesh të stërzgjatura, Prokuroria ka marrë të pandehur një ministër. Ky i fundit, pa lidhje, sulmon Presidentin, opozitën dhe, akoma më keq, krijon alibinë se Prokuroria është vënë në shërbim të kundërshtarëve të tij politikë. Ndërkohë që, vetëm pak muaj më parë, Kryeministri dhe shumica në krah të tij, kanë shkarkuar ish-Kryeprokurorin Dhori Sollaku, që kish nisur procesin, dhe kanë propozuar prokuroren aktuale, Ina Rama. Është e pabesueshme. Kryeprokurorja e re, e sapoemëruar nga shumica politike, e garantuar nga kushtetuta për 5 vjet në detyrë, u bë papritur e manipuluar, sepse kërkon të bëjë detyrën? E kundërta edhe mund të ndodhte, pra që prokurorja të vihej në shërbim të shumicës që e ka emëruar.
Problemi që Lulzim Basha ka me Prokurorinë shqiptare, po konfondohet qëllimisht, ndonëse është kaq i thjeshtë për t’u kuptuar. Absurdi i akuzave ndaj Kryeprokurores është pjesa më banale e debatit politik. Mbrojtja politike që Lulzim Basha po i bën vetes, është prova më e madhe e përfshirjes së tij në korrupsion. Çdo person publik, i përmbajtur, duhet t’i rrëzojë akuzat zyrtare vetëm në Gjykatë. Çështja “Basha”, tanimë është çështje drejtësie, ku asnjë politikan nuk duhet të fusë hundët. Nuk ka të drejtë. Aty ku radhën e ka drejtësia, të tjerat janë broçkulla