E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klima, pranë "dështimit"

Edhe pse samiti i shumëpritur i Kopenhagënit ka hyrë në ditën e fundit të tij, nuk ka ende asnjë lajm pozitiv për arritjen e ndonjë marrëveshjeje për të shpëtuar planetin nga ngrohja globale. Më pesimist nga të gjithë duket se është Pekini. Zyrtarët deklaruan se u diskutuan shumë çështje dhe progres pritet të ketë, por për momentin duket i pamundur nënshkrimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nga vendet pjesëmarrëse. Ndoshta për këtë duhet të presim takimin që do të zhvillohet në Meksikë në vitin 2010. Ndërkaq, me ndërhyrjen e Sekretares amerikane të Shtetit, gjërat duken se do të marrin një tjetër rrjedhë. Amerika nga ana e saj është në gjendje që deri në vitin 2020 të japë 100 miliardë dollarë në vit për vendet në zhvillim. "Nëse do të ketë një marrëveshje operative dhe transparente, mund të arrihet në krijimin e një fondi për transferimin e teknologjive të pastra në vendet në zhvillim, që do të shkojë në 100 miliardë dollarë në vit brenda 2020", tha ajo. Edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs, tha se Presidenti Obama po përpiqet që ky samit të jetë i suksesshëm. Por a do të mbyllet me një marrëveshje? Është e vështirë të besosh se kjo gjë mund të ndodhë, kur ka ngelur vetëm një ditë kohë nga mbyllja e samitit të 15-të për klimën, organizuar nga OKB-ja. Por nëse SHBA po përpiqet me çdo kusht për rinisjen e negociatave për arritjen e mirëkuptimit mes vendeve, tani një tjetër përgjegjësi e madhe i takon Kinës. Pekini, i mbështetur nga India, Brazili dhe vendet e tjera në zhvillim, akuzonte Perëndimin se ishte shumë pak bujar në ndihmat për vendet më të varfra, për të zhvilluar teknologjitë jeshile, por Uashingtoni me këtë fond gjigand tregoi se janë ata që po u shmangen detyrimeve. Në mes është edhe Europa, që paralajmëron rrezikun e një dështimi, sipas fjalëve të Sarkozisë. "Kush do ta marrë përsipër rrezikun e dështimit të kësaj marrëveshjeje, do të qëndrojë i vetëm dhe do të marrë një përgjegjësi historike që nuk mund ta suportojë", tha Presidenti francez. Megjithatë, shpresat për nënshkrimin e një marrëveshjeje nuk janë shuar ende plotësisht. Sot pritet të thuhet fjala e fundit nga 130 liderët botërorë që do të marrin pjesë në mbylljen e samitit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›