E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish të burgosurit kërcënojnë: Do të përshkallëzojmë grevën

Edhe pse në ditën e 51 të grevës së urisë, asnjë nga strukturat shtetërore nuk ka nisur negociatat me ish të përndjekurit politikë. Pavarësisht kërkesave të tyre të vazhdueshme për të takuar një nga përfaqësuesit e shtetit, ende nuk ka pasur asnjë reagim edhe pas përkeqësimit të herëpashershëm të gjendjes së tyre shëndetësore. Në këto kushte, grevistët "kërcënojnë" përshkallëzim të mëtejshëm të grevës, edhe pse po afrojnë festat e fundvitit. Ish të përndjekurit politikë u bëjnë thirrje instancave qeveritare të plotësojnë menjëherë kërkesat e tyre, ose do të thellojnë më tej grevën. Grevistët u bënë apel dje, ish të burgosurve politikë në Shqipëri të solidarizohen me ta për të kërkuar me ngulm plotësimin e kërkesave dhe respektimin e të drejtave të tyre. Ata janë të bindur që shteti duhet të jetë përgjegjës për premtimet e bëra gjatë muajve të fushatës elektorale. Sipas tyre, kjo çështje duhet të zgjidhet njëherë e mirë, jo vetëm për shkak të premtimeve që u bëri qeveria "Berisha II", por edhe sepse u takon në bazë të ligjit të miratuar enkas për ta në ‘93. Ky ligj u jep të drejtën ish të burgosurve të kenë statusin që siguron dëmshpërblimin dhe rehabilitimin e tyre. Edhe pse ky ligj është zëvendësuar me një tjetër vendim më 2007, ish të burgosurit e kundërshtojnë atë duke e konsideruar si të padrejtë. Sipas tyre, duhet të vihet në zbatim ligji i vitit 1993, pasi sipas dispozitave të përcaktuara në këtë vit, plotësimi i kërkesave që ata paraqesin është më i plotë. Grevistët kërkojnë që greva të përshkallëzohet më tej në mënyrë që pjesëmarrja të rritet edhe më shumë.

"E dimë që është e pamundur të marrin pjesë të gjithë ish të përndjekurit politikë në grevë. Kjo për shkak të sëmundjeve nga të cilat vuajnë, si rezultat i kushteve të vështira apo të keqtrajtimit sistematik në burgje. Megjithatë, kërkojmë të paktën që të solidarizohen me ne dhe të ngrenë zërin për të kërkuar ato që na takojnë", theksoi njëri prej grevistëve. Edhe pse shëndeti i tyre sa vjen e rëndohet, ata janë betuar se nuk do të dorëzohen përpara asgjëje, qoftë edhe para rrezikut për jetën. "Shteti nuk po reagon ende ndaj kërkesave tona. Nuk na mbetet rrugë tjetër përveç se të kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë për zgjidhjen e kësaj situate që sa vjen e po përkeqësohet", thanë grevistët. Konstandin Gjordeni, Mirak Bejko, Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Liço Çalaj e Petrit Shpuza janë ata që nisën grevën e urisë më 27 tetor të këtij viti dhe po vazhdojnë të protestojnë edhe sot pas 50 ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›