E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vaksina, sa kohë nuk ka "pasoja" të përhershme është ok

Vaksinat specifike të gripit të derrit kanë mbërritur në tokën shqiptare. Sot pritet që plot 100 mijë dozat e para të dërgohen menjëherë në inventarin e Institutit të Shëndetit Publik. Kjo vaksinë do të nisë nga shpërndarja sipas planit të punës të miratuar nga specialistët e bordit të ngritur për situatën e gripit të derrit dhe aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Kompania me të cilën Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar marrëveshjen është një firmë farmaceutike hungareze. Pas stokut të parë, do të kemi në vazhdim edhe sasitë e tjera të vaksinave.

Lidhur me debatin e ngritur në të gjithë botën nëse duhet që të merret vaksina apo jo, nëse ka efekte anësore apo nëse konsiderohet e rrezikshme, bluzat e bardha janë të mendimit se për sa kohë testet klinike kanë vërtetuar se kjo vaksinë nuk ka dhënë efekte dytësore të përhershme, ajo nuk është e rrezikshme, për sa i takon pjesës së efekteve të përkohshme, kjo është normale për çdo vaksinë, çdo përbërje biologjike.

"Vaksina nuk do të jepet me detyrim sikundërse ka ndodhur në disa vende fqinje, siç është Greqia, ajo do të tërhiqet me dëshirë. Por ajo këshillohet në mënyrë të veçantë për pacientët kronikë, që kanë dhe probabilitetin më të lartë për të shfaqur komplikacione në rast se preken nga virusi AH1N1", sqaroi Pëllumb Pipero, drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë. Ndërkohë që sipas drejtorit të Qendrës së Kontrollit të Barnave, pavarësisht debateve në të gjithë botën, kjo vaksinë ka kaluar testet klinike, dhe për këtë nuk mund të quhet e rrezikshme. "Qendra e Kontrollit të Barnave ka për detyrë të kujdeset për kontrollin, ruajtjen dhe transportin e dozave të vaksinave", sqaroi kreu i QKB-së, Besnik Jakaj. Sipas tij, produktet biologjike shfaqin efekte, në rastin e vaksinës ajo i ka kaluar provat e "sigurisë". Nga ana tjetër, epidemiologët, sqarojnë se përmbajtja e vaksinave pothuajse është e njëjtë, por është antigeni ai që bën ndryshimin. Është një produkt i testuar, secili prodhues kryen edhe kontrollet e nevojshme, në disa grupmosha e kategori, para se ajo të aprovohet dhe të shitet në tregun farmaceutik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›