E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gulfo", monedha e re e Gjirit Persik

Vendet e Gjirit Persik kanë nisur fazën e parë të Bashkimit Monetar të Gjirit, që ka si objektiv nxjerrjen në qarkullim brenda dhjetë viteve të ardhshme të një monedhe të përbashkët për shtetet e naftës. Valuta e re, e konceptuar mbi modelin e euros, do të përdoret për të sfiduar dollarin, si mjet shkëmbimi ndërkombëtar për arin e zi. "Pakti i bashkimit monetar të Gjirit më në fund u bë realitet", tha ministri i Financave të Kuvajtit,

Mustafa al-Shamali, me rastin e samitit për "Gulf Cooperation Council" (GCC). Faza e parë e monedhës së re, në të vërtetë do të nisë vitin e ardhshëm, me krijimin e Këshillit Monetar të Gjirit Persik, embrioni i asaj që do të bëhet një bankë e vërtetë qendrore e Gjirit Persik. Vendet e para që aderuan në këtë projekt ishin Arabia Saudite, Kuvajti, Bahrejni dhe Katari, por "klubi" duket se do të zgjerohet me shpejtësi marramendëse. Për momentin, Emiratet Arabe kanë qëndruar jashtë kësaj iniciative, të bezdisur nga fakti se selia qendrore e monedhës së re do të jetë në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite, në vend që të jetë në Abu dabi, me këmbëngulje të Mbretit saudit, Abdullah. Pjesëmarrja e tyre në monedhën e re duket se është shtyrë për të ardhmen, ashtu si Omani. Adaptimi i një monedhe të përbashkët do t‘i lejojë këto vende të kenë një valutë të tyren, për mallin që eksportojnë me shumicë drejt pjesës tjetër të botës, naftës. Po ashtu, kjo iniciativë do të shërbejë për të forcuar influencën e tyre në tregjet botërore. Me sa duket, bëhet fjalë për një veprim që do e lejojë monedhën e re të zërë vendin e dollarit në kontratat për arin e zi, duke ndikuar kështu akoma më shumë në zhvlerësimin e valutës amerikane. Projekti i një monedhe të përbashkët për këto vende, që jo rastësisht do të marrë emrin "gulfo", frymëzohet nga adaptimi i euros në Europë, i konsideruar si një sukses i madh në botën arabe. Megjithatë, mes ministrave të vendeve të ndryshme, ka ende dyshime se si është më mirë të veprohet: "Monedha e përbashkët duhet të vijë në fund të një procesi. Europës i janë dashur 40 vjet para se ta ndërmerrte këtë hap. Në fillim duhet të koordinojmë politikat tona ekonomike dhe të krijojmë infrastruktura të përbashkëta", tha ministri i Financave të Baharain, Khalid Bin Ahmad Al Kalifa. Një nga diferencat më të mëdha në krahasim me zonën Euro do të ishte pesha e madhe specifike e një vendi të vetëm, Arabisë Saudite, mbi të tjerët. Rreziku, thonë ndërkombëtarët, është që shtetet e tjera mund të ndihen si satelitë që mund të rrotullohen rreth interesave të Riadit. Pikërisht këtu do të merren vendimet mbi kohërat dhe modalitetet e futjes në treg të monedhës së re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›