Shamku: Berisha jepu rrogat mësuesve ose largohu
Partia Socialiste kërkoi dje nga qeveria që të paguajë sa më parë pagat e mësuesve të dispozicionit, të cilët ka tre muaj që nuk i paguan. Deputetja e kësaj partie, Ledi Shamku tha se po mbushen tre muaj që mësuesit e dispozicionit, nuk kanë marrë ende asnjë gjysmë leku për shërbimin që u kanë ofruar nxënësve. "Po mbushen tre muaj që këta argatë fatkëqij shtyjnë ditët, gojëkyçur prej zorit se po të ndihen për rrogën që u takon. Ndaj mësuesit nuk flasin, por ne i themi Sali Berishës jepu rrogat ose largohu", deklaroi deputetja e PS-së. Sipas saj, Sali Berisha harxhoi 2 milionë euro vetëm për banderola, me papërgjegjshmërinë e tij la pa rroga gjithë mësuesit me kontratë. "Ne i themi Sali Berishës që rroga për ty nuk është asgjë përballë fitimeve të shumta që të sjell biznesi i Kryeministrit, por për familjet të cilat jetojnë me punë të ndershme rroga është jetë dhe mbijetesë. Ndaj të bëjmë thirrje jepu rrogat ose largohu", tha Shamku.
Menjëherë pas Shamkut ka reaguar Ministria e Arsimit, duke sqaruar zyrtarisht se asnjë mësues nuk ka mbetur pa paguar për vitin 2009. "Pagat e të gjithë mësuesve dhe punonjësve të tjerë të sistemit arsimor për muajin dhjetor po paguhen brenda afateve ligjore të përcaktuara. Të gjithë mësuesit dhe pedagogët definitivë përfitojnë edhe shpërblimin e fundvitit njësoj si të gjithë punonjësit e sektorit publik", sqaroi dikasteri i Shkencës.