Frikë nga AH1N1, studentët e Infermierisë bojkotojnë mësimin
Studentët e Infermierisë të universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, kanë bojkotuar dje dy orët e para të leksionit. Shkak është barë paniku i përhapur në pavijonin infektiv të spitalit të qytetit për dy të dyshuar me gripin e derrit. Zakonisht, studentët e këtij fakulteti të gjitha orët e praktikës i kryejnë në bllokun e spitaleve ku dhe është ngritur godina universitare e këtij fakulteti. Ndërsa dje ka qenë radha që studentët praktikantë ta zhvillonin mësimin në pavijonin e infektivit, por ata nuk janë paraqitur në mjediset e brendshme të tij si për çdo ditë tjetër. Aktualisht në këtë pavijon janë të shtruar dy pacientë, të dyshuar për gripin e derrit. Mjekët janë munduar të qetësojnë situatën, duke u sqaruar studentëve se ende nuk është konfirmuar se dy pacientët e shtuar në repartin e infektivit të jenë prekur nga AH1N1. Be.Dy.