E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti,Dekreton qeverinë e re



Kreu i shtetit i ka dhënë miratimin ndryshimeve të reja në qeveri duke mos krijuar asnjë vonesë në miratimin e tyre në Kuvend para mbylljes së sesionit parlamentar

Presidenti Bamir Topi firmos në mënyrë të përshpejtuar qeverinë e re të Kryeministrit Berisha, të propozuar vetëm tri ditë më parë. Pa pritur skadimin e afatit përfundimtar, Topi pranoi dje të gjitha lëvizjet e reja të kreut të ekzekutivit. Kjo firmë e ndihmën kryeministrin Berisha që t’i kalojë për votim ministrat e rinj brenda këtij sesioni parlamentar për të mos pritur vjeshtën kur hapet sesioni tjetër. Pas konfliktit për anëtarët e Gjykatës së Lartë që shënoi një ftohje të madhe mes kreut të qeverisë dhe kreut të shtetit, duket se ujërat janë qetësuar mes tyre. Kështu firma për ministrat ishte një shenjë e mbylljes së konfliktit, ndërkohë që pritet vota e mazhorancës për emrat e rinj të Topit për Gjykatën e Lartë. Pa hezituar Presidenti dekretoi dje Anila Godon në postin e ministrit të Shëndetësisë dhe lirimin e Nard Ndokës nga ky post, emërimin e Genc Pollos në postin e zv.kryeministrit dhe lirimin e tij nga detyra e ministrit të Arsimit, post të cilin e merr Fatos Beja. Presidenti nuk priti afatin e fundit që në bazë të Kushtetutës i skadonte pas 5 ditëve. Ishin republikanët ata që detyruan Kryeministrin Sali Berisha të bëjë ndryshime 9 muaj para përfundimit të mandatit qeverisës. PR-ja insistoi për rikthim në qeveri, duke nisur kështu negociata me Kryeministrin për vendin që do u takonte në ekzekutiv. Por republikanët këmbëngulën për Ministrinë e Shëndetësisë, ndërkohë që refuzuan atë të zëvendëskryeministrit, gjë që detyroi Berishën të bënte lëvizje të reja në stafin qeveritar. Genc Pollo u propozua prej tij si zëvendëskryeministër, ndërkohë që vendin e tij tek Arsimi e zuri Fatos Beja. Republikanët morën drejtimin e Shëndetësisë, duke zhvendosur demokristianin Nard Ndoka nga kjo detyrë. Në vend të tij u emërua Anila Godo, me profesion mjeke dhe vajza e politikanit të njohur të së djathtës, Sabri Godo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›