Fatos Beja,Bashkëpunëtori më jetëgjatë i Berishës, në krye të arsimit
Ministria e Arsimit, pas 3 vitesh drejtimi nga një aleat i PD-së, më në fund ka kaluar në duart e partisë në pushtet. Në krye të këtij dikasteri të rëndësishëm do të jetë Fatos Beja, një nga bashkëpunëtorët më të hershëm dhe më të qëndrueshëm të Kryeministrit Sali Berisha. Një lëvizje e tillë duket se bëhet për dy arsye, të dyja të një rëndësie të veçantë për partinë në pushtet. Dhënia e një dinamike të re reformave dhe performancës së kësaj ministre është arsyeja kryesore, pas kritikave që ishin drejtuar drejt kreut të PDR-së, Genc Pollo, që mbajti për 3 vjet frenat e arsimit. Por, jo vetëm përmirësimi i punëve në arsim dhe mbyllja e ndryshimi i imazhit të ministrisë kanë qenë arsyet që e detyruan kreun e qeverisë të firmosë largimin e Pollos. Një vit para zgjedhjeve, një nga ministritë më të rëndësishme do të ishte më e udhës që të ishte në duart e demokratëve. Me këtë vendim, Berisha ka ndryshuar kompozimin e kabinetit të tij, që në fillim u kritikua se kishte më shumë hapësirë për aleatët, duke shmangur nga ministritë kyçe partinë që kishte fituar zgjedhjet.
Por nuk është e rastësishme zgjedhja e emrit të Bejës mes shumë kandidaturave nga radhët e demokratëve për të marrë këtë post. Duke e pasur një nga bashkëpunëtorët e tij më të hershëm, kreu i qeverisë ka dashur t’i besojë pikërisht atij reformat e reja në sektorin e arsimit. I shkolluar fillimisht për Filologji dhe më pas i specializuar për diplomaci, Fatos Beja njihet kryesisht për qetësinë dhe përkushtimin. Qetësinë në marrëdhëniet me të tjerët dhe përkushtimin jo vetëm ndaj partisë, por ndaj detyrave që partia i ka dhënë deri më tani. Këto veti duhet të kenë ngjallur besimin tek kreu i qeverisë.
Megjithëse nuk njihet për dëshira karrieriste, ai ka pasur një karrierë në ngritje në PD. Këshilltar diplomatik i Presidentit të Republikës gjatë viteve ‘92-‘97, Fatos Beja ka qenë hartuesi i traktatit të miqësisë Shqipëri-Greqi në vitin ‘96, traktat të cilit i referohen zyrtarët e dy vendeve sa herë bie fjala për keqkuptime diplomatike. Deputet i PD-së, 1997-2005; anëtar i Kryesisë së PD-së, 1997-1999; sekretar për Organizimin e PD-së, 1999-2001; sekretar për Zgjedhjet dhe Burimet Njerëzore në PD, 2001-2005; deputet, nënkryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve. Gjatë legjislaturës aktuale ai është nënkryetar Kuvendi dhe kryetar i Komisionit të Ligjeve. Tashmë vjen në detyrën më të lartë, atë të ministrit në një moment kyç për partinë së cilës i përket, kur pritet të kërkojë një mandat të dytë qeveritar.
Beja e ka pranuar detyrën e ministrit me të njëjtin seriozitet që ka pranuar edhe detyrat e mëparshme. Por sapo të ulet në karrigen e lënë bosh nga Pollo, do të gjejë një ministri plot me probleme. Beja ka vetëm një vit kohë për të zgjidhur gjërat e lëna pezull nga paraardhësi, siç është mosdekreditimi i universiteteve, dështimi i sistemit të subvencionimit të librave shkollorë, mosfunksionimi dhe aq i mirë i Maturës Shtetërore, si dhe sistemi i komplikuar i koeficienteve për maturantët. Gjithashtu ministrit të ri i duhet të përballet me sfida të reja, si hapja e masterit për universitetet publike, integrimi i ish-instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave në universitete sipas ligjit të ri etj.