Maksim Malaj, zyrtarisht shef i Shtabit të Përgjithshëm
Gjeneral Brigade Maksim Malaj është shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Presidenti Bamir Topi dekretoi dje Gjeneral Brigade Maksim Malajn në postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Emërimi i Gjeneral Brigade Maksim Malaj në këtë post u propozua më 19 korrik nga Kryeministri Sali Berisha. Malaj zëvendëson në këtë detyre ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Lejtnant Luan Hoxhën, i shkarkuar nga kjo detyrë pas shpërthimit të Gërdecit.
Kryeministri Sali Berisha propozoi para pak ditësh Malajn për postin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Në datën 10 qershor 2008, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë Kolonel Maksim Malaj, gradën madhore Gjeneral Brigade. Malaj ka një CV të pasur ndër vite si ushtarak. Ecuria në gradë nis në 1991 me kapiten dhe vijon pas 3 viteve me gradën major, ndërkohë që në 1997 bëhet nënkolonel për t’u bërë kolonel në vitin 2002 dhe në 2008, Gjeneral Brigade. Ndërkaq Luan Hoxha që mbante më parë postin e shefit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, u shkarkua nga detyra pas tragjedisë së Gërdecit në mars dhe nisjes së hetimit nga ana e Prokurorisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.