LSI, PS-së: Të bashkohemi kundër Topallit
Afrimi mes dy partive të majta duket akoma i largët, por ndërkohë ka sinjale dhe kushte për një bashkëpunim të mundshëm. Dje Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar Partisë Socialiste që të bashkohen për të larguar kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Nënkryetari Pëllumb Xhufi i ka kujtuar PS-së idenë për mocion, duke u shprehur se “ne ripërsërisim me këtë rast edhe mbështetjen që kemi thënë më parë ndaj idesë për të realizuar një mocion mosbesimi ndaj Kryetares së Kuvendit, znj. Topalli, duke kurajuar edhe një herë nismëtarët e kësaj iniciative, pikërisht Partinë Socialiste, për të shkuar përpara me procedimin e kësaj iniciative”. Deklarata e tij mori shkas nga Letra e ambasadorit të SHBA-së, z. Withers, dhe ajo e ambasadorit të OSBE-së, z. Borsh, drejtuar Topallit pas largimit të përfaqësuesve të tyre nga salla e Kuvendit. Sipas Xhufit, këto dy letra “kanë treguar në mënyrë bindëse, edhe nën vëzhgimin e ndërkombëtareve, se Kuvendi i Shqipërisë është mbyllur ndaj monitorimit dhe vëzhgimit të të huajve, ashtu sikurse e kërkon rregullorja e tij, ashtu sikurse e kërkojnë edhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”. Më tej, akuza e Xhufit përfshin dhe kryeministrin Sali Berisha dhe merr shkas nga debati i para disa ditëve në Kuvend. Xhufi thekson se “prej kohësh dyshja Berisha-Topalli e kanë kthyer Kuvendin në një instrument në luftën kundër institucioneve dhe në luftën për ndërtimin e një shteti autokratik”. Në këto kushte, LSI mendon se “kryetarja aktuale e Kuvendit të Shqipërisë znj. Topalli të shmanget nga detyra që ajo po kryen shumë keq”.