E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni, disvoltat dhe mjedisi

Ilir Beqja 

Shqipërinë e vizitoi së fundmi Kryeministri italian, Silvio Berluskoni. U pa qartë entuziazmi i qeveritarëve tanë për të pritur sa më mirë mikun nga Italia, por edhe kënaqësia e Berluskonit ... për çfarë arriti. Berluskoni ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë në atë çfarë erdhi të marrë në Tiranë. Lejen shqiptare për të ndërtuar në tokën tonë disa instalime, që do të prodhojnë energji kryesisht për Italinë, si dhe mbështetjen shqiptare për interesat italiane në reformën e pritshme të Këshillit të Sigurimit të OKB.
 Dizvoltat (disvolta)
Ajo çfarë Kryeministri shqiptar nuk arriti t’i marrë Berluskonit, ishte angazhimi për një zgjidhje definitive të së ashtuquajturës çështje të dizvoltave. Për të sqaruar lexuesit, “dizvoltat” janë një dokument që i lejon kamionët shqiptarë të transportojnë mallra nëpër Itali. Prej rreth 14 vjetësh, çdo shtator sipërmarrësit shqiptarë, që punojnë në transportin ndërkombëtar të mallrave me Italinë e më tej, bllokohen në punën e tyre. Kjo ndodh pasi kuota vjetore e lejeve (disvolta) të dhëna për transportuesit shqiptarë përdoret e gjitha në tetë–nëntë muajt e parë të vitit. Kjo krizë përsëritet çdo vit. Kryeministri ynë u shfaq shumë i lumtur, që po lidhte marrëveshje me Italinë. Të njëjtën lumturi demonstroi edhe para një muaji, kur Tiranën e vizitoi ministri i Jashtëm italian, Fratini. Por nuk ishte në gjendje t’i kërkonte Berluskonit të ndërhyjë për të bërë një zgjidhje definitive të kësaj çështje. Nuk është vetëm përgjegjësi e Berishës historia e dizvoltave. Të gjitha qeveritë shqiptare kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Vetë Berluskoni ka qenë tri herë Kryeministër i Italisë në 14 vjetët e fundit dhe kjo çështje nuk është zgjidhur.
Meqë jemi tek transporti ndërkombëtar i mallrave me Italinë, po paraqes edhe një dështim tjetër të qeverive tona në marrëdhëniet me Italinë. Për 100 km të përshkruar në rrugët e Italisë, një njësi malli e ngarkuar në një kamion me targa shqiptare paguan 10 herë më shumë taksa, se një kamion maqedonas apo nga shumë vende të tjerë. Për të njëjtën distancë dhe të njëjtën peshë malli, nëse një kamion shqiptar kushton 2,200 euro, një kamion maqedonas kushton 1,850 euro. Kjo bën që maqedonasit të jenë më konkurrentë se shqiptarët. Madje, ka ndërmarrje shqiptare që kanë filluar të përdorin kamionë maqedonas. Të vetmit kamionë që paguajnë të njëjtën nivel takse janë kamionët azerë (nga azerbajxhani) dhe irakianë. Kryetarja e Kuvendit, zonja Topalli, me gjithë sharmin e saj, nuk arriti të merrte as në Romë dhe as në Tiranë, angazhimin e zotit Fini, që legjislativi italian të vendosë, që të ndërpritet sjellja diskriminuese ndaj transportuesve shqiptarë.
Dumping mjedisor
Gjatë vizitës së Berluskonit në Tiranë, u firmosën disa marrëveshje të rëndësishme, të paktën, për nga shifrat e deklaruara. Është për të ardhur keq që Berisha, me sa duket, do të mbyllë karrierën e tij politike pa prerë ndonjë shirit inaugurimi të përfundimit të ndonjë vepre së bashku me Berluskonin. Sipas ministrit shqiptar të Ekonomisë, projektet e firmosura duan 3–4 vjet që të përfundojnë. Analiza e detajuar e përfitimeve të vendit nga këto projekte i kalon kufijtë e shkrimit të sotëm. Por bie në sy që të gjithë projektet kanë një të përbashkët. Shfrytëzimin e mjedisit shqiptar, madje deri edhe tjetërsimin e tij. Kështu me parkun energjetik me elika, kështu me parkun energjetik në Seman, kështu me fabrikën e çimentos. Në Seman do të shkarkohet gaz i lëngët nga Algjeria në një gjendje të caktuar dhe do të transportohet më pas nën det për në Itali. Pse vallë italianët nuk e shkarkojnë direkt në Itali? Çfarë të pathëna ka që justifikon koston e gazdërguesit nga Semani në Itali? Qeveritarët do të duhet të japin përgjigje për këtë. Në Karaburun do të ngrihen mullinj me erë, që do të prodhojnë energji për ta dërguar më pas në Itali. Kush e njeh Sicilinë e di, që edhe atje janë të njëjtat kushte si në Shqipëri për të përftuar energji nga era. Pse në Shqipëri distanca midis mullinjve do të jetë më e afërt se ajo e lejuar në Itali? Qeveritarët do të duhet të japin përgjigje për këtë. E njëjta gjë edhe për fabrikën e çimentos (edhe për 6 të tjerat – greke, spanjolle, etj). Nuk është e vështirë të kuptosh që, mesa duket, në Itali ka disa rregulla mjedisore që nuk mund t’i kapërcesh. Edhe pse Berluskoni ka një maxhorancë solide në Senat dhe në Dhomën e Ulët, edhe pse gëzon aktualisht një popullaritet mbi 60 % nuk merr përsipër të ndryshojë ligjet e vendit të tij. Dhe vendos të gjejë zgjidhje jashtë Italisë, pra në eksport. Në tregtinë e jashtme, termi dumping përdoret në ato raste kur një sipërmarrës në eksport aplikon çmime më të ulëta, se ato në vendin e tij, apo nën koston e prodhimit të mallrave. Diçka e ngjashme po ndodh edhe në Shqipërinë e sotme. Por është fjala për dumping mjedisor. Berisha po shton në CV-në e tij edhe faktin, që është Kryeministri i vendit që lejoi dumping mjedisor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›