E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre Presidentë dhe një Kod

Artur Zheji 

Bamir Topi nuk e dekretoi Kodin Zgjedhor, të votuar ngutshëm së fundmi në Kuvendin e Shqipërisë. Një shenjë të parë të këtij mosdekretimi të mundshëm, zoti President e dha të qartë në fjalën e tij përshëndetëse të 28 Nëntorit në Pallatin e Brigadave, por pakkush besonte në një mosdekretim të bujshëm, si ky që sapo ndodhi. Zoti Topi, është kështu Presidenti i tretë që refuzon publikisht mospërsosjen juridike dhe pse jo, defektin e madh moral që ndryn brenda vetes ky Kod jogarantues për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme politike të vitit 2009. Zoti Meidani dhe zoti Moisiu e ngritën në disa raste zërin e arsyes dhe kritikës principiale për këtë Kod diskriminues, të cilit i mungojnë dy shtylla kryesore: garantizmi dhe gjithëpërfshirja.
Këto dy shtylla të mangëta, rrezikojnë, ose më saktë kërcënojnë, standardin e pritshëm të krejt godinës së zgjedhjeve të ardhshme, i paragjykojnë ato dhe mbjellin kaos dhe paqartësi të thekshme.
Dy ish-Presidentë dhe një President në fuqi, janë në një linjë substanciale qëndrimesh, ndonëse vijnë nga kultura krejt të ndryshme politike.
A ka kush kurajo ta quajë rastësi këtë?
A ka kush guximin ta minimizojë atë gafë thelbësore që mishërohet në nenet 8 dhe 9 të Kodit, ku nga “nxitimi” përjashtohet de facto edhe vetë Presidenti nga mundësia reale e dekretimit të zgjedhjeve?
Ky rikthim në Kuvend i këtij ligji, është një shans i madh për politikën shqiptare që të reflektojë. Kjo kohë shtesë për reflektim, që me mençuri dhe takt ua dha të gjithëve Presidenti Topi, e rikthen situatën në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në favor të votës së lirë dhe lirisë së garantuar të votimit dhe numërimit të saj.
Si asnjëherë tjetër, tre Presidentë janë me një mendje për një gjë të vetme, por jo vetëm, nuk kam dëgjuar as edhe një analist të njohur politik, ose pothuajse asnjë, që ta mbështesë apo aq më tepër ta mbrojë deformimin e rëndë që përmban kjo stisje bipartizane PD-PS, mishërim i një egoizmi politik të shfrenuar dhe një paradhomë ligjore, ku me ligj dhe në emër të ligjit, të stimulohet vjedhja e votës së shqiptarëve.
Mendoj se kësaj radhe zoti Berisha dhe zoti Rama, nuk duhet të vazhdojnë të qërojnë gështenja të krimbura dhe as ta krimbin më tej politikën e tyre të vjetër, ku kundërshtari apo konkurrenti politik, perceptohet si armik që duhet zhbërë, grabitur dhe dhunuar nga e drejta, që i njeh universalisht sistemi demokratik.
Sepse në ka gjë të vjetër në të bërit politikë, bile shumë të vjetër, është pikërisht kjo, konceptimi dhe aplikimi i stilit të shfarosjes së tjetrit dhe vendosja e hierarkisë piramidale absolutiste me të gjitha mjetet, kusuret dhe intrigat e mundshme.
Në këtë këndvështrim, Berisha dhe Rama, (ajme kjo sinonimi e këtyre të dyve), mund ta shfrytëzojnë mençurish këtë rast, për të bërë një hap elegant pas dhe të hapin negociata serioze për të rikonceptuar edhe çështjen e komisionerëve, sipas parimit gjithëpërfshirës, duke u bërë kësisoj palë me garantizmin dhe jo me komprometimin e procesit të ardhshëm zgjedhor, i cili në këtë Kod, cenohet në zemrën e vet.
Berisha dhe Rama, do të dëshmojnë kështu, (pavarësisht sinonimisë së tyre të vazhdueshme), se kanë besim te zgjedhjet e ardhshme dhe te votat që ata realisht do të marrin nga shqiptarët, do të dëshmojnë gjithashtu se, edhe nëse janë të “paragjykuar padrejtësisht”, kanë aq më tepër kurajon dhe stofin politik të vetëpërsosjes, të kapërcimit të ngërçit të krijuar, të marrjes së përgjegjësisë politike reale përkundrejt opinionit politik dhe atij publik. E pra, le të dëshmojnë këta dy zotërinj se janë sojlinj, e si i thonë, se janë vërtet pra të sojshëm në politikë, se nuk duan të ndyjnë duart në portofolin elektoral të të tjerëve, si xhepistë apo si politikanë të asaj politike që duhet ta humbë përgjithmonë të drejtën e qytetarisë, më në fund edhe në Shqipëri.
Zoti Topi, me kthimin elegant pas në Kuvend, të Kodit Zgjedhor, është sot më president se asnjëherë më parë, prandaj dhe gjesti i tij duhet lexuar politikisht, si një gjest presidencial i mirëfilltë, mrekullisht në sinkron me dy ish-Presidentë të lëvdueshëm, në sinkron me qindra intelektualë që mbështetën grevën e urisë së deputetëve pak kohë më parë, me analistët, politologët dhe opinionistët më të mirë të këtij vendi, dhe me mijërat e shqiptarëve që janë realisht të trembur dhe shqetësuar për demokracinë e vendit të tyre.
Besoj se në një rezonancë reflektive do të jenë, apo pse jo, duhet të jenë edhe ambasadat me peshë të akredituara në Tiranë dhe që akreditojnë politikë konstruktive në Shqipëri. Ato, besohet se e kuptojnë, se Presidenti, po të ishte i anshëm duhet të ishte me shumicën që e zgjodhi, e pra me Kodin Zgjedhor të përfolur e të votuar ca kohë më parë.
Porse fakti që ai, Presidenti, zgjodhi një shumicë tjetër, edhe më të gjerë, shqiptarët, e ngre atë realisht mbi palët, si një institucion gjithëpërfshirës që ai është dhe duhet të jetë.
E pra, ambasadat me peshë, që akreditojnë politikë konstruktive në Shqipëri, ka ardhur koha ta shpalosin plot vëmendje dhe përgjegjësi, konstruktivitetin e tyre mbi palët dhe pro standardeve ku fitojnë të gjithë.

* * *
 Ps1. Në një emision tv, ditën e 9-të të grevës së urisë së deputetëve dhe pikërisht në sinkron me votimin në Kuvend të këtij Kodi Zgjedhor, gazetari që më kish ftuar më përsëriti disa herë:
“Zoti Zheji, Kodi po kalon, kurse ju në Konventën e jashtëzakonshme të LSI, u thatë njerëzve aty të pranishëm: No passaran! (Nuk do të kalojnë!), porse ligji po kalon….
- Ligji edhe mund të kalojë, porse fryma e këtij ligji, nuk kalon!... - iu përgjigja pa e ditur se Presidenti Topi nuk do ta kalonte, por duke ditur njëkohësisht se Presidenti Topi duhet të zgjidhte në emër të shqiptarëve dhe ligjit të tyre elektoral, nëse duhet të ishte ose jo President i të gjithë shqiptarëve.

Ps2. Nuk ishte simpatike deklarata e rrufeshme e PS, menjëherë mbas mosdekretimit, se ishte gati të votonte saktësimet juridike që kërkonte Presidenti, duke e reduktuar këtë mosdekretim në kaq pako gjë. Ndoshta shiu i këtyre ditëve i ka mbyllur brenda dhe ata, “popullorët”, me sa duket nuk dëgjojnë c’thotë populli…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›