E Diel, 1 Nëntor 2026

Skënderbeu është 50 herë në pasaportë

Ylli Dylgjeri 

Një lajm i çuditshëm u  shpërnda dje nga mediat shqiptare: Dokumentet e reja të identitetit do të kenë në çdo faqe figurën e Skënderbeut! Auuuuuuu! Po talleni...?! Jo. Ky është lajmi që u transmetua drejtpërdrejtë nga mbledhja e qeverisë shqiptare dhe nga vetë kryeministri i vendit, Sali Berisha. Ai “propozoi” buzagaz që figura e heroit tonë kombëtar të jetë në çdo faqe të dokumentit të identifikimit. Ky qe lajmi... Në fillim s’po i besoja veshëve, dhe për momentin pyeta veten: A ka pasaportë shqiptare kryeministri i vendit? Dhe, nëse e ka, a e ka parë ndonjëherë atë? Më ndjeni o lexues të vendit tim: Pasaporta aktuale që Ju e dispononi ka plot 50 faqe, dhe në çdo faqe është stampuar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Mjafton ta ngrini pak lart pasaportën, kundrejt dritës së diellit apo asaj elektrike dhe do ta shihni lehtësisht heroin kombëtar në zemër të shqiponjës me dy koka. Pra, ka plot 50 figura të heroit në çdo faqe, duke përfshirë edhe kapakun vishnje të pasaportës.
Tani pak informacion për pasaportën:
Tirazhi i përgjithshëm (i prodhuar) i pasaportës shqiptare sot është mbi 3.5 milionë ekzemplarë. Stampuar në shtypshkronjën gjermane “Bundesdrucerai” Berlin. Ka plot 16 elementë sigurie. E posedon si pronë çdo shqiptar i lindur në Republikën e Shqipërisë. Kështu thotë ligji për pajisjen e shtetasve me dokumentin në fjalë. Vetëm kryeministri i vendit dhe ministrat e tij nuk e kanë parë figurën e heroit, megjithëse mund të kenë edhe nga dy apo tri të tilla (pasaportë e thjeshtë, shërbimi dhe diplomatike). Ju kanë lënë sytë zotërinj? Atëherë ngushëllime zoti Kryeministër! Ngushëllime dhe ju anëtarë të kabinetit qeveritar, që si eunukë dëgjonit ligjëratat kallpe të të parit Tuaj, që çdo ditë e më shumë po kthehet në një pater familia, duke na kujtuar Romën e lashtë të Jul Cezarit. Ç’punë ka kryeministri në një vend demokratik të merret edhe me përcaktimin se ku do të qëndrojnë figurat apo simbolet kombëtare, qoftë kjo edhe pasaporta e qytetarëve? Kudo në botën demokratike për propozimin dhe vendosjen e tyre hapen konkurse kombëtare me specialistë të fushës. Po kështu në Ministrinë e Brendshme dhe në Ministrinë e Kulturës ka struktura, specialistë dhe drejtori që përgjigjen për modelimin e dokumentit të identifikimit dhe pasaportës shqiptare. Nuk është hera e parë që prodhohet një dokument i tillë në Shqipëri dhe nuk paska praktika administrative dhe ligjore. Ndërhyrja e Kryeministrit të vendit, përmes diktatit të tij, tregoi edhe njëherë se vendi po drejtohet kudo dhe rëndom në çdo qelizë vetëm nga urdhri apo thënë më shqip; nga despotizmi i Sali Berishës. Nisur nga ky fakt flagrant, pra nga “simpatia” për vendosjen tani si fotografi në pasaportë figurën e Skënderbeut, nesër shqiptarët mund të dëgjojnë që po ky kryeministër të propozojë dhe të vendosë po me vendim qeverie që, në kartëmonedhën shqiptare, të hiqet, fjala vjen, koka e Ismail Qemalit dhe në vend të saj të vendoset koka e Lulëzim Bashës... dhe kjo në nder të rrugës patriotike të veriut. Për të mos vijuar me propozime të tjera më prekëse, po e mbyll komentin, duke e ftuar Kryeministrin Berisha dhe qeveritarët shqiptarë në një shikim kolektiv të pasaportës aktuale shqiptare. Vendin dhe ditën caktojeni vetë. Dhe nëse nuk e shikoni prapë, do t’ju thosha: Plasini sytë! Skënderbeu është këtu, në çdo faqe të pasaportës shqiptare!
Po ju ku jeni?
Nejse, po u jap edhe një mundësi: Shikoni poshtë pullave të vizave që keni marrë pa fund, për të bredhur për në Europë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›