Pasaportat, me sfond Skënderbeun
adi shkembi
Qeveria miraton dizenjon e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Në mbledhjen e radhës, kryeministri Berisha theksoi se në çdo faqe të pasaportës do të jetë pikërisht portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. “Këshilli i ministrave vendosi miratimin e dizenjos përfundimtare të dokumenteve të identitetit: letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës elektronike, sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Çdo akt nënligjor, që bie ndesh me këtë vendim shfuqizohet”, thuhet në vendimin e qeverisë. “Dua të veçoj sot vendimin për miratimin e dizenjos së dokumenteve të identitetit, letërnjoftimeve dhe pasaportave. Skënderbeu është ai që i ka frymëzuar dhe frymëzon më shumë se kushdo tjetër shqiptarët drejt Evropës. Nuk mund të ketë personalitet tjetër që të ketë mbajtur shpirtin e një kombi, siç ka mbajtur ai gjallë shpirtin e kombit shqiptar”, u shpreh Berisha. Në mbledhjen e djeshme, ai ka replikuar edhe me ata autorë të cilët theksojnë prejardhjen joshqiptare të Skënderbeut, për shkak të etnisë së mamasë së tij. Sipas kreut të qeverisë, atësia dhe jo mëmësia përcakton etnicitetin. “Ka kombe të tjera, të cilat kanë nënën dhe ajo është një përzgjedhje kombëtare për përkatësinë etnike, kurse shqiptarët dhe jo vetëm shqiptarët, por shumica, kanë bërë këtë përzgjedhje. E kanë bërë këtë, sepse burrat kanë vuajtur shumë në kohën e matriarkatit. Është e vërtetë se burrat janë mëkatarët e mëdhenj, por dhe kjo është një trashëgimi. Gradualisht shqiptarët do të kalojnë në ekuilibër”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Sipas tij, “në tërësinë e tij, ai përbën sipas të gjithë historianëve rastin më të pashembullt. Ai pati shtet, kur të tjerët nuk kishin shtet dhe kur shtetet e rajonit kishin rënë njëri pas tjetrit. Bizanti vetë ishte shembur. Kështu që kam shumë kënaqësi të vendosim sot, që të kemi në dokumentet e reja dokumentet që na bashkojnë, të standardeve evropiane, Skënderbeun në çdo faqe të tyre”.
Elementet
“Karta e identitetit do të ketë të njëjtin kompozim grafik me faqen e të dhënave të pasaportës elektronike, për të forcuar idenë e një familje dokumentesh identiteti. Në pjesën e sipërme është teksti ‘letërnjoftim’, ‘ID’, ‘Republika e Shqipërisë’ dhe ‘Republic of Albania’ në ngjyrë të kuqe dhe jeshile”, thuhet në relacionin e vendimit të miratuar dje. Në mes të teksteve është vendosur imazhi i flamurit kombëtar. “Kinegrama është një element i rëndësishëm sigurie i letërnjoftimit elektronik dhe i faqes së të dhënave. Kinegrama është në formë rrethi me diametër 20mm dhe është i tejdukshëm. Në sfond janë konturet identikisht të sakta të maleve Korab, Dajt dhe Tomorr ndërsa në qendër e postuar lart majtas është shqiponja e stilizuar”, theksohet më tej në detajet e kartës së identitetit. Sipas relacionit, në varësi të ndryshimit të këndit dhe shikimit, shqiponja lëviz në drejtimin nga e majta në të djathtë dhe nga lindja në perëndim, për të dhënë përshtypjen e lëvizjes edhe të Shqipërisë drejt familjes evropiane dhe strukturave euroatlantike.
Ngjyra, si e dokumentit të BE-së
Fillimisht autoritetet shqiptare kishin parashikuar ngjyrën blu për kapakun e pasaportave biometrike. “Pas sugjerimeve të koncensionarit për ndryshimin në ngjyrë bordo e kuqerremtë, me qëllim unifikimin sipas standardeve të Komunitetit Evropian, duke konstatuar se nuk ndryshonte kostoja, por ka një përmirësim cilësor në kuptimin e përshtatshmërisë dhe përputhshmërisë me dokumentet e hapësirës së BE-së, autoriteti kontraktor vlerëson se duhet të merret në konsideratë”, thuhet në relacion. Pas këtij propozimi, është vendosur që ngjyra e pasaportës të jetë e kuqerremtë dhe në përputhje me udhëzimet e Bashkimit Evropian për pasaportat elektronike.