Shqipëria, brenda prillit anëtare e plotë e NATO-s
Adi Shkembi
Aleanca e NATO-s pret me padurim anëtarësimin në gjirin e saj të Shqipërisë dhe Kroacisë. Kjo është në thelb deklarata e përbashkët e ministrave të jashtëm të NATO-s në përfundim të ministerialit vjetor të Aleancës në Bruksel. Ndërkohë burime të Associated Press në selinë e NATO-s në Bruksel bëjnë të ditur se dy vendet që morën ftesën në samitin e Bukureshtit, do të bëhen anëtare me të drejta të plota në prill të vitit të ardhshëm, kur të mbahet samiti i ardhshëm në Francë dhe Gjermani. Kreu i diplomacisë shqiptare mori pjesë në darkën transatlantike të shtruar nga Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Karel De Gucht, ku e pranishme ishte edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs. Gjatë kësaj darke ministrat shkëmbyen mendime mbi çështjet dhe shqetësimet e përbashkëta të sigurisë, gjeopolitikës dhe bashkëveprimit të aleancës dhe partnereve të saj.
Deklarata
Në deklaratën e përbashkët, Ministrat e Jashtëm të NATO-s u shprehën se “presin me padurim anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancë, çka do t’i kontribuojë forcimit të sigurisë për të gjithë në zonën euroatlantike”. Shqipëria dhe Kroacia, thekson deklarata e Ministerialit të MPJ të NATO-s, kanë kryer tashmë reforma të rëndësishme dhe po japin kontribut domethënës ndaj sigurisë euroatlantike. Duke theksuar se vendet anëtare të Aleancës presin me padurim përfundimin e procesit të ratifikimit të protokolleve, deklarata nënvizon se objektivi i Aleancës është anëtarësimi i të dyja vendeve në Samitin e ardhshëm. Në fjalën e tij në këtë ministerial, ministri Basha informoi ministrat e jashtëm të NATO-s se Shqipëria së shpejti do të rrisë numrin e efektivave të saj, që shërbejnë në kuadër të ISAF në Afganistan për t’iu përgjigjur kështu nevojave të Aleancës dhe thirrjeve për angazhim edhe më të madh në drejtim të situatës së sigurisë në këtë vend. “Në fund të fjalës së tij, ministri Basha falenderoi dhe njëherë ministrat e jashtëm të vendeve që kanë ratifikuar protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, si dhe përshëndeti angazhimin e vendeve të tjera të Aleancës, për të përmbyllur me sukses anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO përpara Samitit të Strasburgut”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme.