Topi: Bullgaria të ushtrojë presion në BE për “korridorin 8”
Shqipëria i kërkon Bullgarisë, që si vend anëtar i Bashkimit Evropian të ushtrojë presion për ndërtimin e “Korridorit 8”. Këtë bëri të ditur dje presidenti Bamir Topi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij bullgar Georgi Parvanov. Kreu i shtetit bullgar ndodhej në Shqipëri për një vizitë zyrtare, ku është takuar edhe me kryeministrin Berisha. Gjatë takimit me mediat, presidenti Topi u shpreh se “Pra, kur ky vullnet politik është i sinkronizuar, unë i kërkova zotit Parvanov që të ushtrojë më shumë presion në Bashkimin Evropian, në Bruksel, së bashku me Italinë, që projekti të realizohet dhe të gjenden të gjitha burimet financiare për ta filluar dhe kur themi për ta filluar, për ta filluar ashtu siç kërkohet, me të gjitha standardet e duhura, sepse secili vend ka bërë atë çka ka pasur mundësi të bëjë për realizimin e këtij Korridori”. Nga ana e tij, presidenti Parvanov ka deklaruar se “Që nga dita ime e parë si president kam filluar të flas për “Korridorin 8” dhe tani ka kaluar kaq shumë kohë sa do të thosha që jam plakur me këtë temë në sensin e shakasë, megjithatë do të doja të isha gjallë kur projekti të realizohet. Një tjetër kërkesë e presidentit Topi ka qenë për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. “Një vend i Bashkimit Evropian, Bullgaria, popullsia e të cilit ka ndjerë të njëjtën nevojë për liberalizimin e vizave, në kohën kur ende nuk e kishte marrë statusin, i kërkova kolegut dhe mikut tonë zotit Parvanov, që edhe Bullgaria të ushtrojë influencën e vet në politikat e Brukselit, që sa më shpejtë të jetë e mundur të kemi një regjim total të liberalizuar të vizave, në mënyrë që edhe populli shqiptar, çdo qytetar i Shqipërisë, të ketë mundësi të pakufizuar për të lëvizur i lirë”, u shpreh Topi. Presidenti Pervanov garantoi dje në Tiranë mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, duke shtuar se “unë personalisht kam përkrahur gjithmonë në forume të ndryshme politikën e vendeve të hapura të NATO-s dhe gëzohem shumë që së shpejti ne do të jemi jo vetëm vende mike, por edhe vende aleate”.