E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rreh emigrantin, pranga policit



Dhunojnë e i marrin emigrantit 17-vjeçar 500 euro.

Ngjarja e rëndë, që ndodhi në ambientet e pikës kufitare të Kakavijës, solli arrestimin e punonjësit të policisë së kufirit dhe nisjen e procedimit penal për përgjegjësin e tij. Hetimi i kryer nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjirokastrës zbardhi dhe incidentin në Kakavijë. Në pranga ka rënë 27-vjeçari, Kreshnik Birbili, ndërsa në hetim në gjendje të lirë është nënkomisar Mariglen Hadaj, 28 vjeç. Sipas burimeve zyrtare pohohet fakti se këta persona kanë përvetësuar shumën prej 500 euro që emigranti XH.D. nga Berati kishte me vete në kohën kur po kthehej nga Greqia. Kjo ka ndodhur më 19 qershor të këtij viti, kur adoleshenti, i cili kishte qëndruar pa dokumente të rregullta në Greqi, ku kishte punuar disa javë, vendosi të kthehej në vendlindje. Nga dëshmia e tij mësohet se para nisjes, një bashkëfshatar i tij i kishte dhënë me vete 300 euro, për t’ia dërguar të atit. Emigranti ilegal ka mbërritur në doganën shqiptare, ku punonjësit e policisë i kanë kërkuar që të shkojë me ta, meqenëse nuk zotëronte asnjë dokument. Hetimet e kryera për këtë rast pohojnë faktin se emigranti është shoqëruar brenda zyrës së policisë kufitare nga inspektori i arrestuar, me urdhër të nënkomisarit Hadaj. Burimet e grupit hetimor bënë të ditur se ndaj adoleshentit është ushtruar kontroll fizik, duke i gjetur atij shumën prej 500 eurosh, prej të cilave 300 ishin të bashkëfshatarit dhe 200 të emigrantit. Dy punonjësit mësohet se i kanë thënë se 300 eurot ishin të falsifikuara dhe do ta arrestonin. Përballë kësaj situate, 17-vjeçari u ka kërkuar që ta linin të lirë se do t’u jepte dhe 200 eurot e tij. Pasi kanë marrë shumën prej 500 euro, ata e kanë lënë të lirë emigrantin e sapokthyer. Duket se kjo ngjarje nuk do të mësohej nëse personi që priste të merrte paratë e djalit të mos i kërkonte llogari për 300 euro. Fillimisht, adoleshenti nuk i ka treguar, por më vonë ka rrëfyer se paratë ia kanë marrë policët në kufi. Kjo dëshmi nuk është besuar nga i interesuari për 300 eurot, duke dyshuar se djali i kishte shpenzuar për qëllime të vetat. Ai i ka kërkuar ballafaqim me policët për të mësuar të vërtetën. Të dy kanë shkuar në doganë, ku 2 ditë më parë djali ka takuar policin Birbili, duke thënë se megjithëse ia kishte marrë paratë si false, nuk kishin plotësuar ndonjë procesverbal për këtë fakt dhe se tashmë ia kërkonte bashkëfshatari i tij. Në këtë moment, punonjësi i policisë akuzohet se e ka qëlluar adoleshentin, duke e shoqëruar në ambientet e izolimit, ku ka vazhduar ta rrahë. SHKB-ja është vënë në dijeni menjëherë për këtë rast, duke gjetur djalin ende në dhomat e izolimit. Me urdhër të prokurorit është bërë arrestimi në flagrancë i policit kufitar. Të dy punonjësit janë pezulluar nga detyra, ndërsa SHKB-ja ia ka referuar materialet Prokurorisë së Gjirokastrës për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve të kësaj çështjeje, për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›