Grabitet makina luksoze e turistit kosovar, autorët kapen në Bulqizë
DURRES - Dy shtetas nga Shijaku prangosen 24 orë pas grabitjes së automjetit luksoz që kryen ndaj një shtetasi kosovar. Duke e cilësuar ngjarjen si një “precedent të rëndë” për turizmin, Policia e Durrësit në një kohë rekord zbardhi mekanizmin e grabitjes dhe vuri në dispozicion të drejtësisë autorët e dyshuar. Burimet policore saktësuan se L. Shahini, 20 vjeç, nga fshati Sallmone dhe L.Ll, 17 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në “4 Rrugët”, janë dy të prangosurit e operacionit “Aventurë”. Këta dy shtetas dyshohet se në zonën e “Shkëmbit të Kavajës”, rreth orës 23:30 të së enjtes, nën kërcënimin e armëve kanë ndaluar duke i zënë rrugën me automjetin e tyre “Volvo”. me targa BC 830 EA, autoveturës tip BMW, të drejtuar nga shtetasi kosovar A.Z., në të cilin udhëtonte si pasagjer edhe një shtetas tjetër nga Kosova. Autorët kanë detyruar të zbresin nga mjeti personat në fjalë dhe më pas janë larguar me të dy mjetet. Më pas, dy keqbërësit, në një pikë karburanti në rrugën nacionale Durrës-Tiranë, kanë kryer furnizimin me një sasi të konsiderueshme nafte të autoveturës së vjedhur dhe kanë kanosur shitësin me qëllim mosdhënien e shumës respektive të parave. Vjedhja e makinës si dhe furnizimi me karburant pa u paguar qenë dy ngjarje të ndodhura pak minuta nga njëra-tjetra. Policia e Durrësit bëri lidhjen mes tyre, duke përcaktuar me saktësi edhe drejtimin që mori më pas autovetura e vjedhur. Të njoftuara menjëherë nga të dëmtuarit, shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes duke bashkërenduar masat edhe me policinë e rretheve të tjera. Për këtë arsye, pika kontrolli janë ngritur në akse të ndryshme rrugore. Gjatë orëve të paradites, në qytetin e Bulqizës, u bë e mundur kapja nga shërbimet e Policisë së Durrësit e dy shtetasve të dyshuar si autorë të ngjarjes, të cilët udhëtonin me autoveturën BMW. Në vijim të dokumentimit hetimor lidhur me këtë ngjarje, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, autovetura tip BMW, prodhim i viteve të fundit, pa targa, autovetura tip “Volvo” me targa BC 830 EA (pronë e grabitësve), një pushkë automatike 10-she, një automatik “model 56” si dhe 4 krëhëra automatiku me fishekë të kalibrit 7.62 mm. Aktet hetimore në ngarkim të dy shtetasve në fjalë për veprat penale të “vjedhjes me dhunë në bashkëpunim” dhe “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit të Durrësit. o.u