E Diel, 1 Nëntor 2026

Çamë e kosovarë kujtojnë gjenocidin Rikthehen në kufi me tokat, nga i përzuri 66 vjet më parë greku



Të mbijetuarit e gjenocidit çam dhe pasaardhësit e tyre rikthehen drejt tokës prej nga nisi masakra helene ndaj shtetasve shqiptarë.

Ditën e djeshme, në përvjetorin e 66-të të krimit ndaj popullsisë shqiptare të çamërisë, në pikën ku ndahet kufiri mes vendit tonë dhe Greqisë, janë ndalur me mall e lot mijëra vetë. Eksodi i kthimit të çamëve ka arritur shifra rekord në këtë përvjetor, pasi në Qafë-Botë janë bashkuar në këtë përkujtim vuajtjesh dhe qindra shqiptarë nga Kosova. Këta të fundit kanë ndarë të njëjtën dhimbje, duke krahasuar gjenocidin grek me atë serb.
Dhjetëra autobusë e qindra autovetura janë nisur nga Vlora mëngjesin e djeshëm, për të udhëtuar drejt kufirit me Greqinë. Organizimi i pjesëmarrësve është kryer nga shoqata "çamëria" dhe dega e PDU-së në Vlorë, ndonëse në mes të tyre ishin jo vetëm anëtarë të komunitetit çam, por dhe qytetarë nga i gjithë vendi, Kosova e nga emigracioni. Deputeti i PDU-së, Dashamir Tahiri u shpreh se në këtë ditë ngjallen shumë kujtime, sidomos për të moshuarit që kanë parë me sytë e tyre masakrën e torturat që i janë bërë popullsisë së pambrojtur çame. Datat 26 e 27 qershor 1944 janë të regjistruara si ditët e masakrës masive, kur brenda pak orëve u ekzekutuan 701 burra dhe 212 gra e fëmijë, për të vazhduar me masakrën e 28 gushtit 1944 në Paramthi, në të cilën u zhdukën 200 vetë e më tej, me dëbimin e 25 mijë çamëve të besimit mysliman, të cilët u strehuan në Shqipëri. Në këtë përkujtimor të gjenocidit çam, bashkë me qindra kosovarë u deklarua se drejt Sarandës është nisur dhe Kryeministri Hashim Thaçi. Por, në orët e pasdites u mësua se ai e kishte ndalur udhëtimin në Dhërmi, ku ka zhvilluar një takim të shkurtër me deputetët e PDU-së, Tahiri dhe Idrizi. Ndërkohë, udhëtimi ka vazhduar për në Sarandë e më pas në Qafë-Botë, ku pjesëmarrësit, me sytë nga toka e çamërisë kanë bërë thirrje për zgjidhjen e çështjes së tyre. Ajo që ra në sy ishte mungesa e PDI-së, anëtarët e të cilit pritet që të mbërrijnë sot në kufi. Deputeti i PDU-së, Shpëtim Idrizi ikërkoi bashkëpunim kreut të partisë tjetër çame, Tahir Muhedini, duke u shprehur se vetëm kështu mund të luftohet për ta çuar deri në fund çështjen e tyre. Në këtë ditë ka folur dhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. "Kjo ditë simbol, nuk përfaqëson vetëm tragjedinë e një popullsie që padrejtësitë e lanë jashtë kufijve të shtetit mëmë. Ajo është shumë më tepër se kaq: është vetë historia e kombit shqiptar, i privuar në shekuj nga mjaft të drejta themelore të ekzistencës, rrjedhojë e synimeve dhe interesave shoviniste të fqinjëve tanë". Sipas Gjikës, duhet që data 27 qershor të përcaktohet në kalendarin e ngjarjeve historike kombëtare, si dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të çamërisë nga shovinizmi grek. "Me caktimin e kësaj date, çështja çame tashmë trajtohet si një aspekt i çështjes sonë kombëtare, që do të gjejë zgjidhjen e vet brenda normave ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut". q.b/sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›