Dritëroi: Kutitë nuk hapen nga ndryshimet kushtetuese
Intervistoi Aristir Lumezi
Shkrimtari i madh, Dritëro Agolli komenton në një intervistë për gazetën "Panorama" krizën politike në vend. Sipas tij kutitë e 28 qershorit nuk hapen për shkak të kompromisit që PS e PD bënë kur ndryshuan Kushtetutën. Agolli vlerëson rolin e Presidentit Topi dhe figurën e ambasadorit të SHBA-së, në Tiranë, Xhon Uidhërs.
Z.Dritëro, cilat mendoni se janë shkaqet e numrit të madh të vetëvrasjeve që po ndodhin dhe si e vlerësoni reagimin e shtetit ndaj këtij fenomeni?
Kohët e fundit kemi një shtim të madh të numrit të vetëvrasjeve, që hidhen nga ballkonet, që varen në pemë, që mbyten në lumenj. Nga zëdhënësit e policisë kemi njoftimin se personi që është vetëvrarë vuante nga depresioni, apo çrregullimet mendore, por asnjëherë nuk është thënë se problemet ekonomike e detyruan të vetëvritej. Këtë e përforcon edhe fakti që vetëvrasjet kryhen vetëm nga individë të varfër, por asnjë i pasur nuk është vetëvrarë nga depresioni. është fare e qartë që shkaku kryesor është gjendja ekonomike. Kërkohet që të ketë studime për të nxjerrë shkaqet e vetëvrasjeve, për t'i ardhur në ndihmë edhe Qeverisë për të orientuar politikat e saj, me qëllim parandalimin e këtyre fenomeneve me karakter kryesisht ekonomik.
Dëgjova në televizor se gjatë 6 muajve të fundit në Durrës janë vetëvrarë 16 vetë. Kjo është një shifër alarmante. Përse e vrasin veten dhe nga këta 16 asnjë i pasur nuk është vetëvrarë?! Të gjitha këto të dhëna jepen nga policia si vrasje nga depresioni, por nuk thuhet se u vetëvra sepse nuk kishte mundësi të përballonte jetesën e tij dhe të familjes. Sot nuk thuhet troç se shkaku i vetëvrasjeve është varfëria, sepse shqiptarët janë të varfër, se 33 % e familjeve shqiptare blejnë me lista në dyqanet ushqimore. Nuk thuhet shkaku i vetëvrasjeve sepse kanë frikë nga e vërteta, se mos na zemërohet Qeveria. Se Qeveria thotë se ne jemi nga 10 vendet e botës që ka rritje pozitive të ekonomisë. Nëse do të thuhet se në Shqipëri njerëzit vrasin veten nga varfëria, i prishet qejfi Qeverisë dhe dëmtohet imazhi i saj përballë ndërkombëtarëve, të cilëve u thuhet se po rritemi dhe zhvillohemi me shifra fiktive. Por nuk thuhen të vërtetat, sepse i prishet qejfi jo vetëm Qeverisë, por edhe kapitalizmit, sepse thuhet se kapitalizmi është një lumturi e madhe. Nëse u thuhet e vërteta, mund të akuzohesh si komunist, se sulmon kapitalizmin, sepse për ty qenka ekonomia e para dhe nga kjo frikë, thonë se ka depresion. Por depresioni qenka vetëm për të varfrit?!
Institucionet studimore përse nuk bëjnë studime për të ndihmuar Qeverinë në politikat e saj?
Institutet e studimeve nuk bëjnë analiza të tilla, sepse druhen nga Qeveria, lëre pastaj që një pjesë e mirë e instituteve të studimit janë mbyllur. Edhe shifrat madje u vjen hidhur kur i raportojnë, sepse i duan sipas orekseve të pushtetit politik dhe jo gjendjes reale. Nëse sot fshihet e vërteta e situatës ekonomike, do të pendohemi më vonë dhe do ndjekim shembullin e vendeve të tjera fqinje si Greqia, ku ishin fshehur dhe manipuluar shifrat ekonomike. E vërteta duhet thënë ashtu siç është, nëse duam të kemi një ekonomi të shëndoshë për sot dhe për të ardhmen. Frika e mosthënies të së vërtetës është disaplanëshe, është frika nga pushteti, frika nga sistemi, se nëse thonë të vërtetën, mund t'i etiketojnë si komunistë. Edhe analistët dhe opinionistët rrallë e thonë këtë të vërtetë.
Ne kemi fakte kokëforte për zhvillim real ekonomik. Në këto 20 vjet më thuaj ti mua sa vepra energjetike kemi ndërtuar? Asnjë! Kjo nuk thuhet dhe pse dihet dhe njihet botërisht nga të gjithë shqiptarët. Pas luftës, një vend i dalë i shkatërruar prej saj, në 20 vitet e para të ndërtimit të socializmit, deri në 1965, u ndërtuan katër hidrocentrale të rëndësishme, H/C i Ulzës, Shkopetit, Bistrica dhe Vau i Dejës. Me ato hidrocentrale ne po furnizohemi dhe sot. Pas tyre u ndërtuan Komani dhe Fierza. Në këto 20 vjet përse nuk kemi arritur numrin e hidrocentraleve të 1965, pyes unë? Kujtoj se ato ndërtime janë bërë kryesisht me punë vullnetare, aksion dhe me punë krahu, ndërsa sot ka makineri shumë moderne për të ndërtuar hidrocentrale, ndërsa ne diskutojmë sot energjinë.
Përse ky tranzicion është kaq i zgjatur në Shqipëri?
Tranzicioni tek ne është shumë i stërzgjatur. Në këtë periudhë kanë pasur përparim disa sektorë, si ai ndërtimit që ka lulëzuar dhe zhvilluar shumë. Ka zhvillime në infrastrukturën rrugore dhe telekomunikacion. Ka më shumë liri shprehjeje dhe fjale. Parlamenti është shumë më demokratik, edhe pse bëhet shumë herë i egër dhe fjala shumë e vrazhdë, liria e fjalës tejkalohet dhe abuzohet me të.
Krahasuar me periudhën para 1990, a ka më shumë peshë fjala sot?
Në fakt, fjala sot nuk ka shumë peshë, sepse jo të gjitha që thuhen në shtyp bëhen dhe mbahen. Shumë premtohen dhe më pak bëhen. Mund të kritikosh dhe nuk e çan kokën njeri, nuk vihen në lëvizje institucionet për ta çuar deri në fund këtë kritikë që bën shtypi. Shtypi e bën kritikën, njerëzit e lexojnë dhe janë dakord, por ajo mbetet aty. Një gjë e keqe është që dy vjet më parë u tha nga Kryeministri se edhe po të shpifni nuk ka gjë. Kjo e zhvlerëson krejtësisht fjalën, sepse nuk e merr njeri seriozisht. Kjo humb peshën e gazetës dhe ul tirazhin. Unë jam 79 vjeç dhe nuk kam dëgjuar në ndonjë vend që të orientohet shtypi drejt shpifjes. Kjo vjen me atë fjalën 'shpif shpif se diçka do të ngelet'. Kështu ndodh edhe në Parlament kur deputetët shajnë njëri-tjetrin me fjale ilegale.
çfarë efekti japin në popull këto dukuri?
Këto nxisin që të shajnë edhe të tjerët. Kjo rrit tensionin. Dëgjoj emisionet e mëngjesit dhe njerëzit flasin me fjalë të pista. Qytetari që e thotë këtë fjalë është i karikuar nga deputeti. Nuk jemi mësuar që në Parlament t'i themi gjërat me logjikë, me fakte dhe pa fyerje. Më mirë të rrihen sesa të thonë fjalë të këqija. Fjala e keqe është më e rëndë se rrahja. Populli thotë se fjala pret më shumë se sëpata.
Po ta krahasojmë Parlamentin e sotëm me Parlamentin e parë pluralist, si janë?
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992 ishte më i mirë. Ata ishin vërtet intelektualë, disa ishin agronomë, por e kritikonin njëri-tjetrin pa fyerje.
Si e shikoni këtë zhveshje të Kuvendit nga përbërja intelektuale?
Drejtuesve të partive iu duhen më shumë njerëz të tillë, militantë që t'i dëgjojnë. Ndonjëherë nuk janë militantë dhe e kthejnë, sot janë me një parti, nesër mblidhen 6-7 deputetë dhe dalin më vete. Militantëve pa ideal u prishet qejfi menjëherë dhe ikin. Nuk është idealist ai, por një njeri që bërtet, edhe liderit i pëlqejnë lavdërimet. Mendoj që nga ana e idealizmit përbërja e Parlamentit ka rënë. Partitë tani nuk merren vesh nëse janë të djathta apo të majta, ato janë njëlloj, janë parti elektorale që të fitojnë sa më shumë vota. Pra, nuk kanë çfarë mbrojnë. Socialistët si bazën themelore në traditën e tyre kanë pasur të varfrit dhe të mesmit. Tani nuk është më ajo. Madje edhe në luftën Nacionalçlirimtare që u bë, baza themelore që mbështeti luftën ishin të varfrit dhe të mesmit. Udhëheqja e partive duhet të ketë intelektualë të veçantë, me një kulturë të madhe, që të njohë mirë të sotmen dhe të mendojë për të ardhmen. Por përveç kësaj, udhëheqja duhet të mos e tregojë mendjemadhësinë dhe largimin nga njerëzit e thjeshtë, të mos i fryjë supeve të kostumit për ndonjë qime përpara popullit.
Në Shqipëri e majta përkrahte interesat e shtresave të varfra dhe të mesme, po pse mendoni se ka ndryshuar?
Tani edhe e majta është globaliste. Nuk dallohet shumë nga e djathta. Ndonjëra nga partitë ndihmon më shumë anën sociale, mundohet që të hapë vende pune më shumë. Por si filozofi për pronën është e njëjta. Në këto kushte unë them se deputetët duhet të zgjidhen më mirë. Ne themi që duhet të ketë rini, por duhet të ketë edhe njerëz që kanë një përvojë, të mos i zgjedhësh sa kanë dalë nga shkolla, apo të kenë bërë 1 vit punë dhe i bën deputet. Duhen harmonizuar të mençmit me të rinjtë e talentuar në politikë. Doemos më shumë duhet të ketë të rinj.
Si e shikoni futjen e biznesmenëve në Parlament?
Mendoj se duhet të jenë të kursyer. Nuk jam kundër që të mos ketë, por jo të ketë një shumicë kaq të madhe biznesmenësh. Unë e kuptoj që tani është kapitalizëm dhe kjo shoqëri do të jetë kapitaliste, por jo me shumicë kaq të madhe. Edhe Amerikan nuk ma do mendja që të ketë shumë biznesmenë të mëdhenj.
çfarë rreziku mund të ketë?
Në sytë e popullit nuk duket mirë. Duhet të ketë edhe përfaqësues nga shtresa të tjera që nuk i përfillim, duhet të ketë përfaqësues nga fshati. Një njeri i zgjuar, agronom që merret me fshatin, ose një fermer me kulturë që të përfaqësojë një shtresë duhet të jetë. Votat më të mëdha janë në fshat. Duhet të ketë njerëz të zgjuar, jo analfabetë. Nuk duhet që një deputet të dijë me doemos një gjuhë të huaj. Në radhë të parë duhet të dijë shqipen, sepse shumë deputetë edhe shqip nuk flasin mirë. Për shembull gati të gjithë thonë: Kush është ky ligj ose kush parti. Dihet që fjala kush përdoret për njerëz, jo për sende. Ose të gjithë monumenteve, deputetët u thonë bust. Edhe monumentit të Skënderbeut me kalë në qendër të Tiranës i thonë bust, kur ai i ka vënë këmbët në yzengji. Termi bust vjen nga italishtja "busto" që do të thotë që në brez e lart. Këto gabime në gjuhën shqipe nuk i bëjnë vetëm deputetët, por edhe shtypi i shkruar e televizionet. Madje gabim i bëjnë edhe ata që kanë mbaruar Fakultetin e Filologjisë (gjuhësisë).
Sot jemi në krizë politike, ka deklarata dhe ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Si e shikoni këtë luftë njëvjeçare?
Ne kemi mungesë të kulturës për demokracinë. Kemi mbetur pak bajraktarë, secili do të jetë bajraktar. Kemi mbetur shumë vjet mbrapa nga kjo anë ku thuhet se unë duhet të jem i pari i krahinës. Për këtë arsye edhe vetë Shqipëria u bë shtet shumë vonë.
Cila mund të jetë zgjidhja e krizës?
Zgjidhja është që të hapen disa kuti, të bëhet një lëshim i tillë. është i parashikuar edhe në Kushtetutë. Fjala vjen kur kërkohet të hapen disa kuti në Tiranë, në Shkodër dhe Berat. Socialistët nuk janë të çmendur që të kërkojnë hapjen e të gjitha kutive. Kjo është një rrugëzgjidhje. Nëse ua thonë të huajt që të hapen kutitë, dhe nëse del se zgjedhjet kanë qenë të mira le të japë dorëheqjen Edi Rama. Nëse del se ka pasur manipulime duhet të japë dorëheqjen Berisha. Pas këtij procesi duhet të ketë një përgjegjësi. Të thonë këtë dhe pastaj vjen zgjidhja, e cila është zgjidhja më e mirë dhe më logjikja. Nëse dalin të vërteta këto që thotë Rama të ikë përgjegjësi i maxhorancës, nëse del e kundërta të ikë kryetari i PS-së.
A është kjo krizë pasojë e ndryshimeve kushtetuese?
U bënë ndryshimet në Kushtetutë dhe u hoqën të gjitha kompetencat e Presidentit. U bë një prapaskenë ndaj Presidentit, u bë një "grusht shteti" politik. Berisha e Rama e ndryshuan Kushtetutën të dy bashkë, sepse thuhet shpesh që e ndryshoi PS-ja. Ky kompromis që u bë ishte negativ. Ndërsa kompromisi që duhet bërë duhet të jetë pozitiv. Për ne kompromiset negative janë shumë të lehta. Presidenti Bamir Topi mendoj se është nga më të mirët. është njeri i qetë, i kulturuar e i drejtë dhe që mund të rizgjidhej President. Ndërsa tani i bëjnë një ofendim të madh. Ai është akoma President, këta thonë do zgjedhim këtë apo atë. Por në këto kushte si pret që të punojë ai? Në vend që ta inkurajosh, ti mendon si ta zëvendësosh. Nëse bëhet me votim nga populli Presidenti Topi fiton. Le të kandidojë kush të dojë tjetër.
Mendoni se është koha që Presidenti të zgjidhet nga populli?
Duhet të ndryshohet Kushtetuta. Në disa vende që kanë qenë diktatoriale është frika e kultit.
Si e gjykoni sulmin që politika i ka bërë ambasadorit amerikan?
Të vjen keq që kritikohet shumë nga politika e djathtë ambasadori amerikan Uidhers. Ai është njeri i kulturuar dhe shumë njerëzor, di të flasë me të gjithë, përfshi edhe fëmijët. Përveç vërejtjeve që bën për politikën e madhe dhe që i ka shumë të drejta, për pavarësinë e gjyqësorit, për mosndërhyrjen e politikës te drejtësia apo edhe për vizat dhe përgatitjes për të hyrë në BE, të gjitha i ka gjëra të arsyeshme dhe ta mbush mendjen për ato që thotë. Ai është njeri i thjeshtë, nuk është njeri mendjemadh që të mburret 'unë vij nga një shtet i madh'. Ai edhe me fëmijët di të komunikojë. Nuk është hera e parë që kritikohen ambasadorët amerikanë në Shqipëri. Edhe kur ishte Marisa Lino e kritikonin dhe ia kishin vënë emrin 'halla'. Madje u ngrit në 1997 në Parlament Gazidede dhe tha që ngjarjet janë vepër e CIA-s. Por nga gjithë ambasadorët që kanë qenë këtu, Uidhërs ka qenë më i miri dhe ma merr mendja që ai do të mbetet në historinë e vendit tonë si diplomati më njerëzor dhe më i drejtë.
Ju jeni ftuar në një mbrëmje poetike në ambasadën e SHBA-së?
Po, e kam marrë ftesën, por më erdhi keq që nuk isha atje. Kam qenë me tension shumë të ulët. Kisha frikë që po të shkoja atje mund të më keqësohej gjendja. Atje u lexuan poezi të poetëve tanë, edhe të miat, të përkthyera në anglisht.
Pëllumbi është shprehur se Rama nuk duhet të kandidojë për mandatin e katërt në Bashkinë e Tiranës, por të forcojë partinë për zgjedhjet e ardhshme. Jeni i këtij mendimi?
Rama ose të kandidojë këtu dhe t'ia lërë partinë një tjetri, ose në Tiranë të kandidojë një tjetër. Mendoj që ky dyzim e ka dobësuar punën edhe të partisë, edhe të bashkisë. Ky dyzim i tillë nuk e lë njeriun të mendojë mirë dhe prandaj ai nuk mendoi mirë edhe për kompromisin për ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor. Ai e dinte si një kompromis për buxhetin e bashkisë, ndërkohë që i bëri keq vetes. Po të mos ishte ai kompromis mund të hapeshin kutitë. Tani kutitë nuk hapen për atë që bëri ai. Duket sikur Berisha do ta përdorë kërkesën e PS-së për hapjen e kutive të votimit në fushatën elektorale ku ta akuzojë se këta na penguan që nuk kemi viza. Duket sikur do ta përdorë edhe në fushatën e zgjedhjeve vendore edhe në zgjedhjet e përgjithshme.
Nisur nga zgjedhjet e 2009-ës, çfarë duhet të korrigjojë PS-ja?
Kodi Zgjedhor duhet të korrigjohet ose të bëhet jo rajonal, por proporcional kombëtar, sepse kështu ke mundësi të zgjedhësh njerëz shumë të zotë në listë për t'i kandiduar. Ose të jetë edhe me listë edhe me zgjedhje direkte maxhoritar i korrektuar me proporcional. Megjithatë më mirë është të bëhet proporcional kombëtar. Në fushatën zgjedhore, kryetari duhet të flasë me më shumë shifra dhe fakte, të mos i verë rëndësi bukurisë së të folurit, oratorisë. Tani kryesorja është ekonomia. Ajo është shumë prekëse. Rama duhet të tregohet më modest. Nuk e detyron dot qytetarin, sepse ai të ikën dhe nuk të vjen as në parti, as në zgjedhje. Duhet të dish të bisedosh me njerëzit, jo të dalësh nga mbledhja, takon njërin që nuk e sheh fare dhe ikën. Duhet një modesti më njerëzore. Në pushtet mund të ndodhë që të jesh i pavëmendshëm, por në parti kjo nuk lejohet.
Shohim që ka tension mes Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, si e gjykoni?
Qeveria e sheh Tiranën si një kryeqytet të huaj, jo si kryeqytetin e vet. Shkon Kryeministri e thotë që Kamzën do ta bëj më të bukur se Tirana. Ai mund të thotë që Kamzën mund ta bëjë më të bukur se Bukureshti, por jo se Tiranën, që e ka kryeqytetin e tij. Meqë është Rama kryetari i Bashkisë, Berisha e sheh Tiranën si një vend të huaj. Për qendrën e Tiranës, Rama e ka mbyllur me të drejtë sepse do e rregullojë, megjithëse qytetarët po vuajmë.
Vijon nesër