E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me 7 plumba 51-vjeçarja

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Ekzekutohet me breshëri automatiku në mes të lokalit ku punonte nëna e dy fëmijëve. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:00 në lagjen “28 nëntori” në Vlorë, ndërsa pak metra larg vendit të krimit ndodhej trotuari i mbushur me kalimtarë.
Viktima është 51-vjeçarja Stoli Sheraj, emigrante e kthyer një vit e gjysmë më parë nga Italia, pas divorcit me të shoqin. Policia mundi të arrestonte në orët e mbrëmjes autorin e vrasjes, 45-vjeçarin Xhezo Abilaj, me të cilin dyshohet se viktima kishte pasur lidhje. Gruaja punonte në lokalin ku u qëllua për vdekje, pasi e kishte marrë atë në shfrytëzim për të mbajtur dy fëmijët që jetonin me të në Vlorë. Autori i vrasjes ka shkuar dje në lokal, duke ruajtur momentin kur viktima ishte e vetme. Një i ri që ka dashur të hyjë ka ngelur në vend te dera e lokalit kur ka parë se një person, pa thënë asnjë fjalë ka qëlluar mbi gruan që ndodhej brenda. Ai është larguar me shpejtësi, ndërsa paniku përfshiu të gjithë zonën. Dëshmitar është bërë dhe djali i viktimës, i cili në atë çast ishte nisur për te lokali ku punonte e ëma. Për policinë ai ka treguar se ka dalluar nga larg Aliajn, i cili po dilte me nxitim nga lokali me armë në dorë. Pasi ka hyrë në lokal ai ka gjetur të ëmën në mes të një pellgu me gjak. Pas kryerjes së ekspertizës rezultoi se Sheraj kishte marrë 7 plumba në trup. Policia mbërriti në vend, duke zbuluar në kohë rekord autorin 45-vjeçar. Blutë janë alarmuar akoma më shumë kur banorët pohuan se vrasësi kishte dalë në rrugë dhe nën kërcënimin e armës kishte marrë peng drejtuesin e një mjeti tip fuoristradë ngjyrë gri. Me këtë mjet u dyshua se 45-vjeçari është larguar nga vendngjarja. Fillimisht u dyshua se në kushtet e tronditjes, autori të kryente një vrasje të dyfishtë. Por gjatë hetimeve të kryera, blutë shoqëruan dy persona të cilët kishin mjetin të ngjashëm me atë të përshkruar nga dëshmitarët. Njëri prej tyre, identiteti i të cilit nuk u bë i ditur pranoi se kishte qenë ai që e kishte shoqëruar viktimën. “Më ndaloi dhe më pyeti nëse mund ta çoja deri tek Transballkanikja. Brenda në xhup mbante diçka por nuk arrita ta dalloj nëse ishte armë. Më vonë mësova se ai kishte vrarë një person”, mësohet të jetë shprehur personi që largoi nga vendi i ngjarjes autorin e krimit. Burime të policisë bënë të ditur se ka dyshime se midis autorit dhe viktimës të ketë pasur një lidhje intime. Nuk dihet nëse është ky shkak i krimit, ndërsa si pistë tjetër kanë ngritur dhe një konflikt që pretendohej nga autori mes viktimës dhe mbesës së tij që kishte punuar në të njëjtin lokal. Në orët e mbrëmjes, autori është arrestuar në fshatin Kalivaç të Tepelenës. Pritet që pas mbërritjes së tij në policinë e Vlorës të merret në pyetje për t’u sqaruar motivet e krimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›