E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktisin shkollën, s’ka mësues matematike

 

BULQIZE – Nxënësit e shkollës 9-vjeçare Zerqan në rrethin e Bulqizës kanë ndërprerë mësimin prej javës së kaluar në shenjë proteste të mungesës së mësuesve të lëndës së matematikës dhe fizikës. Dje nxënësit e kësaj klase kanë trokitur në drejtorinë e shkollës së fshatit dhe kanë dorëzuar një peticion ku deklarojnë se nuk do të paraqiten në mësim deri në zgjidhjen e shqetësimit të tyre. Ndër të tjera në këtë peticion nxënësit shkruajnë: “Prej 14 shtatorit e këtej ne zhvillojmë vetëm 2 orë mësimi në ditë, vetëm histori e gjeografi, ndërkohë nuk kemi mësues për lëndën e matematikës dhe atë të fizikës. Përderisa nuk kemi mësues për zhvillimin normal të programit mësimor jemi të detyruar të braktisim mësimin deri në momentin e emërimit të së gjithë mësuesve”, thonë nxënësit e klasës së 9-të të Zerqanit. Rreth veprimit të nxënësve të Zerqanit është informuar edhe Zyra Arsimore e Rrethit Bulqizë dhe Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër, por nuk është dhënë një përgjigje konkrete për peticionin e nxënësve të shkollës Zerqan. Burime pranë ZA Bulqizë sqarojnë se 5 mësues të lëndës së matematikës, të kualifikuar dhe me përvojë të gjatë pune janë emëruar në qytetin e Bulqizës, aty ku numri i nxënësve është më i lartë.               h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›