Shkrumbohen nga flakët 4 shtëpi
TROPOJE – Katër shtëpi u shkrumbuan nga flakët mbrëmjen e djeshme, në fshatin Dejan të komunës Bujan në Tropojë. Zjarri përfshiu një prej banesave, duke u përhapur me shpejtësi të madhe në godinat ngjitur, ku jetonin 23 persona. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, dyshohet se një shkëndijë elektrike, provokuar në aparatin matës të energjisë ka shkaktuar ndezjen e vatrës së zjarrit. Më tej flakët kanë depërtuar nga njëra godinë në tjetrën, ku jetonin 4 familje të të njëjtit fis. Në ato momente, vetëm një grua ndodhej në banesë, e cila ka dalë me shpejtësi duke kërkuar ndihmë. Ndërsa nuk ka pasur të lënduar në njerëz, dëmet materiale kanë qenë të konsiderueshme. Banesat ku jetojnë familjet e Hysen, Naim, Beqir dhe Sadik Halutit janë shkrumbuar totalisht. Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë për të izoluar flakët, që të mos përhapeshin në shtëpitë e tjera. j.h