“Mësuesja na terrorizon, largojeni nga shkolla!”
FIER/ MAJLINDA RAMA
“Mësuesja e fizikës na tmerron në klasë me histori rrëqe-thëse. Bën eksperimente me kafshë, edhe pse nuk janë fare në lëndë”.Pas rreth 1 viti ankesash nën zë, dje në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Andon Xoxa” në qytetin e Fierit janë mbledhur në protestë nxënës të klasave të fundit dhe prindërit e tyre. Ata kërkuan publikisht largimin nga shkolla të mësueses që jep për ta lëndën e fizikës, Majlinda Rista. Kjo e fundit kishte kohë, sipas nxënësve, që i trajtonte në mënyrën më të keqe duke i dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht. Nxënësit shprehen se kanë kërkuar disa herë që ndaj mësueses të merren masa, por asgjë e tillë nuk ka ndodhur, derisa dje, tre klasa të shtata dhe dy të teta kanë protestuar në fillim në ambientet e jashtme të shkollës dhe më pas i janë drejtuar Drejtorisë Arsimore Rajonale. “Kemi vendosur të bojkotojmë mësimin me qëllim që të gjithë ta marrin vesh se sa e dhimbshme është për ne të zhvillojmë një orë mësimi me një mësuese që çdo ditë na tmerron. Na rreh sistematikisht. Na bën orë mësimi që nuk i përmban programi. Na tregon në klasë histori rrëqethëse, që na trembin dhe që nuk kanë të bëjnë me orën e fizikës. Ajo është e sëmurë dhe ne e kemi thënë disa herë, por nuk e kemi bërë të ditur emrin se kishim frikë. I thoshim drejtorit që kemi një mësuese problematike, por ai na kërkonte emrin e saj që ne nuk e thamë asnjëherë deri në ditën e sotme”, ka thënë Marinela J., një nxënëse e klasës së shtatë. Ndërkohë një tjetër nxënëse e klasës së tetë tregon se mësuesja përdor një tjetër dhunë, përveç asaj fizike dhe që sipas saj, është më e rëndë. “Mësuese Majlinda ka një vit që na sjell në klasë kafshë dhe insekte, të cilat nuk na hynin fare në programin mësimor dhe na tregonte se si mund të rritej një kafshë nga fuqitë e mbinatyrshme. Nuk e kuptonim dot në të vërtetë dhe thjesht qëndronim e dëgjonim. Ajo fliste për Zotin duke thënë se ai na mban në jetë, ai i krijon gjallesat e kështu me radhë. Kemi rreth 1 vit që nuk kemi mësuar asgjë nga fizika. Kemi dëgjuar vetëm të tilla gjëra që nuk na përkisnin. Ndonjëherë na thoshte të tregonim barsoleta dhe përralla dhe papritur na thoshte se përse nuk flisnim për mësimin, por e kalonim kohën me këto përralla, sipas saj. Na streson dhe na e bën lëmsh orën e mësimit. Kërkojmë një zgjidhje ose ne nuk hyjmë në mësim”, ka treguar Alda M, një tjetër nxënëse e kësaj shkolle. Të njëjtin pohim kanë bërë dhe prindërit. Këta të fundit kanë deklaruar se kjo që ata po bëjnë me fëmijët është sakrificë e madhe. Madje sipas tyre, për mësuesen në fjalë duhet të merreshin masa shumë më shpjet. “Kjo është absurde. Çdo ditë i gjejmë fëmijët të strukur në banka. Ajo ul perdet dhe krijon errësirë në klasë dhe pastaj u tregon gjëra që për fëmijët janë të pakuptueshme. Kush na qenka kjo mësuese që bën çfarë do dhe sillet si do dhe nga instancat përkatëse nuk merren masa?! Kërkojmë largimin e saj në mënyrë urgjente”, ka treguar për gazetën Nazmi Lala.
Mësuesja: Jam e aftë për lëndën që jap
Ndërkohë, e ndodhur përballë akuzave të tilla, vetë mësuesja 50-vjeçare, Majlinda Rista, e përfshirë në këtë skandal të bërë të njohur prej nxënësve, nuk ka pranuar të bëjë asnjë lloj deklarate. Ajo ka lënë të nënkuptohet se e gjithë kjo situatë është e sajuar, pasi vetë ajo ndihet tepër e aftë për lëndën që jep. Në ditët në vazhdim do të mësohet dhe fati i arsimtares dhe përballja e saj me dëshmitë e nxënësve dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale.