E Shtunë, 31 Tetor 2026

Birësimi, 2 milionë euro për standardet

Plot 2 milionë euro është shuma që do të vihet në dispozicion të programit "Mbështetje në favor të politikave për të miturit", realizuar nga Komuna e Forlit në Itali në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

"Një nismë e tillë ka për qëllim të asistojë institucionet shqiptare për përmirësimin e kushteve të jetës dhe mbrojtjen e fëmijëve e adoleshentëve të braktisur apo në rrezik e vështirësi sociale", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të ministrisë. Gjatë një takimi që do të organizohet sot do të prezantohet edhe përmbajtja e projektit, që synon të mbështesë Kushtetutën e një Forumi ndërministror të Fëmijës dhe forcimin e Komitetit Kombëtar për Adoptimet. Në kuadrin lokal, veprimet e para pilote për fuqizimin e shërbimeve sociale dedikuar të miturve, mësohet se do të bëhen në zonat e Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës.

Janë parashikuar, gjithashtu, module trajnuese për funksionarët e administratës qendrore dhe lokale, punonjës socialë dhe personel gjyqësor, kompetent në fushën e adoptimeve, së bashku me aktivitetin e kërkimit, mbledhjes dhe analizimit të të dhënave mbi praninë dhe karakteristikat e fëmijërisë në Shqipëri. Bëhet fjalë për një ndërhyrje me vlerë 2 milionë euro, financuar 75 për qind (1.503.400,00 euro) nga Kooperacioni Italian për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme të vendit fqinj. Pjesa e mbetur, do të akordohet në mënyrë të barabartë nga rajonet italiane të Emilia Romagna, Marche dhe Puglia.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›